Një emër mjaft i suksesshëm në Itali dhe më gjerë është Xhuljeta Qoku, logopedja shqiptare e cila është duke arritur një sukses të paparë në fushën e komunikimit, gjuhës dhe të folurit tek fëmijet.

Marketing

Në një intervistë ekskluzive për Albora.ch ajo ka rrëfyer më shumë për jetën e saj në Itali, sfidat e të qenit logopede dhe informacione lidhur me zhvillimin gjuhësor të fëmijëve të cilët rriten në ambient me një, dy apo më shumë gjuhë.

Xhuljeta Qoku

Albora.ch: Ju lutem na flisni diçka më shumë për veten, kur keni ikur për Itali dhe si ishte fillimi?

Xhuljeta Qoku: Atëherë unë jam Xhuljeta, logopede dhe Aba Terapiste. Kam realizuar studimet në Tiranë dhe po aty kam punuar për një periudhë disa vjeçare si logopede dhe aba terapiste njëkohësisht. Në vitin 2021 u transferova përfundimisht në Itali. Fillimi ishte i vështirë, sfidues si dhe i mbushur me reflektime.

Albora.ch: Aktualisht jeni një logopede që ka marr vëmendjen e te gjithëve, na tregoni sa jeni e lumtur me punën që po bëni dhe si është të punohet me fëmijët?

Xhuljeta Qoku: Ndihem e privilegjuar për mundësinë që kam krijuar për të vazhduar punën time si logopede, pavarësisht “mureve” me të cilat jam ndeshur: aktualisht puna ime është e gjitha online dhe ka në fokus t’i gjendem pranë prindërve shqiptarë që ndodhen në diasporë, lidhur me zhvillimin gjuhësor të vogëlushëve që rriten në ambient me dy gjuhë. Të punohet me fëmijët është BEKIM.

Albora.ch: Po jeta ne Itali a ka përparësitë e veta ama do kishe dashur një punë ne Shqipëri, si është te gjendesh mirë në një shtet tjetër?

Xhuljeta Qoku: Kur u nisa për në Itali, ndër mesazhet e letrat nga njerëzit e mi më të afërm, ishin pikërisht fjalët e mbesës sime që mu ngulitën më së shumti në mendje:” teze tani do mësosh të duash vende e njerëz të rinj”. Të gjendesh mirë në një shtet tjetër do të thotë të bësh paqe me shumë gjëra, të mësosh të duash vende ,njerëz e mënyra të reja, pa harruar asnjë moment ato “të vjetrat”, rrënjët.

Ashtu siç e përmenda më lart, një punë në Shqipëri e kisha dhe me vetëdije vendosa ta lija. Do specifikoja që nuk u largova nga Shqipëria sepse nuk ndihesha mirë atje, por thjesht sepse vendosa të ndjek zemrën: partneri im është italian, them se kjo shpjegon shumë.

Albora.ch: Ju më shumë merreni me zhvillimin gjuhësor te fëmijëve- më dy gjuhë të ndryshme, të lutem na shpjego më shumë për këtë?

Xhuljeta Qoku: Pjesa e dygjuhësisë më ka apasionuar veçanërisht që nga momenti kur nisa të mësoja italishten, si dhe nga fakti që në të ardhme edhe vetë fëmijët e mi do rriten patjetër me të paktën dy gjuhë. Kështu përveç studimeve të kryera në Tiranë kam ndjekur shumë trajnime të specialistëve nga USA veçanërisht për këtë temë. Prindërit shqiptarë që ndodhen në diasporë përballen me shumë dyshime përsa i përket zhvillimit gjuhësor të fëmijëve: “ dy gjuhë mund të konfuzojnë fëmijën”; “fëmija do flasë me vonesë sepse ka dy gjuhë” etj, mite të cilat nuk janë të vërteta.

Albora.ch: Sfidë e këtyre viteve vazhdon të mbeten aparatet telefonik, i-pad, tv, telefon etj, na thuaj si ndikon kjo të fëmijët?

Xhuljeta Qoku: Po e nis duke thënë që fëmijët mësojnë të komunikojnë nga ndërveprimi me personat që i rrethojnë, nga bashkëbisedimi. Kështu në momentin që një fëmijë qëndron përpara ekraneve, jo vetëm që nuk i stimulon komunikimin, por ndikon negativisht në shumë aspekte të zhvillimit sidomos  gjatë viteve të para të jetës.

Albora.ch:Kur për një fëmijë duhet te shqetësohemi, ne aspektin e gjuhësisë dhe komunikimit?

Logopedia shqiptare në Itali Xhuljeta Qoku

Xhuljeta Qoku:Mendoj se nuk kemi përse të shqetësohemi, por thjesht të dimë kur duhet të veprojmë nëse është e nevojshme. Do përmendja disa nga gurët themeltar të zhvillimit të fëmijëve, duke theksuar që janë pothuajse të njëjtën si për fëmijët të cilët rriten me 1 apo 2 gjuhë.

Në moshën 1 vjeçare (+/- 2 muaj): shfaq interes që të ndërveprojë me njerëzit që e rrethojnë;

të njohë objekte/persona të përditshmërisë; të imitojë veprime; përdorimi i gjesteve me qëllim komunikimi; mund të vijnë fjalët e para.

Në moshën 18 muajshe (+/-2 muaj): të kthejë kokën ose të tregojë me gisht drejt personit/objektit kur pyetet “ku është…” ; të imitojë në mënyrë spontane veprime dhe fjalë; të mësojë fjalë të reja; të realizojë komanda të thjeshta.

Në moshën 24 muajsh (+/- 2 muaj) : të ketë një fjalor të konsiderueshëm dhe me fjalë të ndryshme; mëson fjalë  të reja çdo ditë; fillon përdorimi i frazave dyshe.

Këto janë pika të shkruara në mënyrë shumë të përmbledhur  ajo që do këshilloja për prindërit është: ndiqni instiktin tuaj dhe informohuni nga burime të sigurta, nga profesionistë të cilëve u besoni.

Albora.ch: Disa këshilla që prindërit mund të kenë parasysh lidhur me zhvillimin gjuhësor gjatë viteve të para të jetës së fëmijëve?

Xhuljeta Qoku: Kur jap këshilla për prindërit preferoj  ta fus dhe veten brenda, ndaj:

Të jemi të pranishëm, nênkuptoj të jemi vërtet të pranishëm si fizikisht edhe mendërisht ndërkohë që jemi pranë të vegjëlve tanë;

Të ndjekim ritmin e tyre: duke përdorur një të folur të thjesht që i përshtatet aftësive të fëmijës.

Kur bisedojmë me fëmijën ulemi në nivelin e tyre kështu do e kenë më të thjeshtë të na ndjekin me sy dhe të vënë re se si i themi fjalët.

Të kujtojmë që vogëlushët mësojnë duke luajtur dhe duke u argëtuar, psh me enët e kuzhinës, me baltë, me top, në natyrë, me një kuti: sa më larg ekraneve, e sa më pranë ndërveprimeve;

Të mos i paraprijmë kërkesave të fëmijëve: kemi tendencën t’i ndihmojmë edhe kur nuk është e nevojshme duke i “vjedhur” kështu atyre mundësinë për të komunikuar me ne.

Të flasim me fëmijën gjuhën që na vjen më natyrshëm, mbi të gjitha  gjuha  është mjeti kryesor për te krijuar një mardhënie.

Të shijojmë sa më shumë vogëlushët tanë dhe të argëtohemi pafund së bashku.

Xhuljeta Qoku gjatë punës në Shqipëri

Albora.ch: A e shihni veten qe një dite do të mund te ktheheni në Shqipëri dhe ta jepni kontributin tuaj ne vendin tuaj?

Xhuljeta Qoku: Nuk them “jo”, ashtu si nuk them “po”, jetës nuk i dihet asnjëherë, por në planet e afërtat nuk është si ide. Mund të them që ndihem e lumtur që kam dhënë dhe vazhdoj të jap sot e kësaj dite kontributin tim edhe pse larg: tani duke i dhënë fokus ruajtjes dhe mirëmbajtjes së gjuhës sonë të bukur SHQIPE.

A.Jahaj, Albora.ch

Marketing