Javën që e lamë pas Lorent Berisha i bëri krenarë të gjithë shqiptarët më zërin dhe përformancen e tij në “Deutschland sucht den Superstar”.
Një zë aq fantastik sa që i gjithë publiku u mahnit nga ai, e njëjta ndodhi edhe me jurinë profesionale të DSDS. Juria profesionale në këtë talent show ishte e përbërë nga Dieter Bohlen, Leony, Katja Krasavice, Pietro Lombardi.
Edhe pse Lorenti ishte një ndër favoritet kryesor për të fituar, ai arriti që të renditej i treti në këtë garë.
Lorent Berisha është me prejardhje nga Gjilani, por ka lindur dhe jeton në Lucern të Zvicrës.
Për të arriturat e Lorentit, Albora.ch në mënyrë ekskluzive ka zhvilluar një intervistë me babin e tij, Dritonin.
Ai në intervistë ka dhënë detaje të padëgjuara më parë nga publikun për Lorentin.
Driton Berisha në intervistën e zhvilluar nga Albora.ch ka treguar se kur ishin shpërngulur në mërgim dhe nga kush e ka trashëguar talentin për muzikë.
“Unë jam baba i Lorentit, Driton Berisha, vijë nga Gjilani, përndryshe jem si gjithë shqiptarët në mërgim, prej viteve 90-ta. Lorenti e ka trashëguar prej meje, ne në familje kem trashëgimi muzikën, por shtrohet pyetje nga kush?, prej meje. Unë kam qenë në shkollë të muzikës prej 10 viteve në Kosovë, në Gjilan, kështu që kam qenë në rrjedha të muzikës, kam qenë i dalluar në piano, edhe kam vazhduar kështu, jo komeditë i njohur, por në ahengje familjare, në familje kam bërë gjithmonë muzikë, e kam pasur talentin që luaj me të gjitha instrumentet, folklorike, popullore që janë me sintë, sharki e çifteli”, ka thënë ai.
Po ashtu, Berisha ka treguar se cilën moshë e ka zbuluar talentin e Lorentit, dhe ka ndarë një rast specifikë që i ka ndodhur me djalin kur ishte shumë i vogël në moshë.
“Fal zotit lindi Lorenti edhe pas 1viti ose 2 vite e pash që ka talent në muzikë. Edhe talenti ia kam zbuluar, mundem me cek një rast shumë specifik, gjatë kohës kur ishte Lorenti 1 vjet e gjysmë ose 2 vjet, kur luaja unë me piano në banesë, siç i kam të gjitha instrumentet, ai flinte nën piano, ia rregullonte shoqja me batanije edhe flinte në atë volumin e muzikës, shumë volum i madh dhe e zinte gjumi, përderisa bëja ushtrime unë”, ka thënë ai.
Po ashtu, ai ka zbuluar se Lorenti ishte regjistruar në shkollën e muzikës që në moshën shtatë vjeçare, përkundër që ishte nën moshën e duhur.
“Me secilin instrument që luaja m`i kapke prej duarve qysh i vogël kur ka qenë. Zbulova që ky ka talent, atëherë me 7 vite nuk mundsha me regjistruar këtu se ishte rregullat që derisa t`i bën 9-10 vjet, por e morën në piano. Ka vazhduar diku 8-9 vite me piano. Lorenti luan piano shumë mirë. Prej instrumenteve luanë me piano, tjerat instrumente jo, nuk kam dashur me angazhu, me ia “përzi” siç themi në gjuhën popullore ne shqiptarët. Nuk kam dashtë shumë me ia “përzi”, me atë kam dashur që të fokusohet dhe me ecë përpara me atë instrument”, ka treguar ai.
Babai i Lorentit ka ndarë për Albora.ch momente për puntaten e parë të DSDS, e cila kishte filluar në shtatorë të vitit të kaluar.
Z.Dritoni ka theksuar se juria ishte mahnitur më zërin e Lorentit, ku nuk e kishin lejuar që ta këndonte këngën deri në fund.
Po ashtu, Berisha ka treguar frikën e tij që e kishte për Lorentin.
“Shumë krenar për të arriturat e Lorentit në DSDS. Diçka jo që se kam pritur unë, e kam pritur qysh në fillimin e DSDS. Vitin e kaluar, në vitin 2022 më 20 shtator, Lorenti ka qenë para jurisë, unë kam qenë në katin e parë. I kam parë të gjitha nga kati i parë, atë suksesin e parë kur ka dalë para jurisë, para një muzikantit të madhe të famshëm, Dieter Bohlen edhe aty i ka marrë komentet e para që nuk e kanë lejuar të këndojë këngën as një minutë edhe e ka ndërpre këngën. Qysh komentet e para i ka pasur fenomenale, i ka pasur të mira, nuk ka pasur kurrfarë vërejtje, as të zërit as te asnjë gjë tjetër. Edhe aty nuk i kam thënë Lorentit, se më është dukur se mos po i rritet mendja edhe pastaj zbret poshtë, e kam pritur para se me fillu live show i parë në Gjermani, tash që kenë tri live show, aty i kam thënë. Prej aty, prej asaj dite, më 20 shtator, kur e ka marr “recall” të parin, unë kam thënë vetë me veti, ka me njoftë bota shume shpejt, edhe kur jem kthy atë natë i kam thënë edhe shoqes vetëm, jo ndër sy të Lorentit, i thash bota ka me njoftë, nuk ka me shku asnjë vit ka me njoftë, e vërtet që bota pe njeh tash”, ka rrëfyer ai.
Dritoni si prind i Lorentit ndihet shumë krenarë për të arriturat e djalit të tij, jo vetëm në muzikë, por edhe në fushën e mjekësisë.
“Jem shumë krenar me Lorentin. Na ka bërë krenarë për të gjitha jashtë këngës, që ka ekzekutuar shumë mirë. Jam krenar që kanë bërë komente kur ka qenë në Tajlandë vitin e kaluar. Juria që e ka kanë përgëzuar për kujdesin për të gjithë kandidatët, njëzetë e pesë. Ky me profesion është me medicinë, është asistent mjeku, ka qenë i gatshëm për çdo kandidatë që ka pasur diçka nevojë sa i përket medicinës apo shtypjes, ulja e gjakut, tensione. Kështu që ajo më ka bërë më krenar se sa ekzekutimi i këngëve, që i dilte mirë e më mirë”, ka cekur ai.
Z. Berisha është pyetur nga Albora.ch se a i ka hapur rrugë “DSDS” Lorenitit për karrierën e tij në muzikë. Kështu është përgjigjur ai.
“Lorentit i ka hapur rrugë, se çdo kujt i hapë rrugë për gjithçka pa marrë parasysh në çfarë lami është, a është në muzikë, a është në vallëzim, a është në sport, pa marrë parasysh, i ka hapur rrugë shumë. Po shihet suksesi i Lorentit. Edhe tash Lorenti po ka nevojë me pushu, edhe tash po pritet, pasi që ka shumë interes për Lorentin”.
Në fund, Berisha ka dhënë një mesazh për të gjithë prindërit shqiptarë kudo që janë.
“Vetëm një dua ta ceki për të gjithë shqiptarët ngado që janë, si në Kosovë, po nisna prej Kosovës, e në diasporë, Amerikë, e Australi pak si e sheh talentin e fëmijës të vetë, siç e ceka më herët nuk ka lidhja çka, po merrmë unë me muzikë, ta provon edhe fëmija, jo është shumë e gabueshme, veç ata çka ia donë zemra, çka e ka në gjak, edhe sidoqoftë edhe lamia më e vogël qoftë, ka më bë bum dikur. I kisha preferuar të gjithë shqiptarëve le t`i përkrahin fëmijët, le ta analizojnë, le ta bëjnë teste njëherë në çka është i talentuar në të vërtetë dhe shpresoj që çdo familje shqiptarë ngado që janë ju plotësohen dëshira, sikurse neve“, ka përfunduar Berisha.