Që nga fillimi i muajit Janar 2023 Agjencia e Statistikave të Kosovës është duke zhvilluar takimet konsultative me udhëheqësit e komunave, e përfaqësues të institucioneve lokale në Republikën e Kosovës, lidhur me organizimin dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve të Regjistrimit të popullsisë.

Marketing

Sipas njoftimit të Agjencisë, takimet konsultative do të mbahen përgjatë tërë periudhës kohore Janar 2023, për të vazhduar më pas me takimet e rregullta periodike.

“Këto takime vijnë pas konsultimeve ndër-institucionale që janë zhvilluar përgjatë muajit Dhjetor 2022, me të gjitha institucionet qendrore në vend. Qëllim i takimeve konsultative është njohja me procesin e regjistrimit, si dhe rolin, detyrat e përgjegjësitë që ka secila komunë në procesin e regjistrimit. Gjatë takimeve të gjithë zyrtarët e komunave kanë shprehur gatishmërinë për bashkëpunim dhe bashkërendim të aktiviteteve për një regjistrimin gjithëpërfshirës dhe kualitativ”, thuhet në njoftim.

Kjo sipas tyre bëhet,bazuar në Ligjin për Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë NR.08/L-114, roli dhe përgjegjësitë e komunave në Kosovë përcaktohen në kuadër të Komisionit Komunal të Regjistrimit (KKR), i cili formohet në secilën komunë. KKR-ja përfaqëson strukturën etnike të popullsisë, duke marrë në konsideratë edhe dispozitat ligjore për përfaqësimin e komuniteteve jo shumicë.

“Zbatimi i të gjitha masave normative, dhe delegimi i përgjegjësive në kohë ndikojnë drejtpërsëdrejti në cilësinë dhe saktësinë e të gjitha aktiviteteve operacionale të projektit nacional të Regjistrimit të Popullsisë 2023”, thuhet në njoftim.

Marketing