Drejtori ekzekutiv i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC) dhe njohësi i çështjeve të emergjencave, Tahir Ahmeti ka dhënë një intervistë ekskluzive për Albora.ch, ku ka folur për rrezikun që mund të përballet Kosova nga lëkundjet sizmike të tokës. Ahmeti ka zbuluar se cilët vendbanime janë më të rrezikuara nga dridhjet e tokës.

Marketing

“Kosova është një rajon me aktivitet sizmik relativisht të lartë, që është goditur në të kaluarën dhe mund të goditet edhe në të ardhmen nga tërmetet”, ka thënë Ahmeti.

Po ashtu, ai ka folur edhe për kapacitetet operacionale të cilat i posedon Kosova, në rast të ndonjë fatkeqësie natyrore.

Albora.ch: Sa është e rrezikuar Kosova nga tërmetet?

Tahir Ahmeti: Nga pikëpamja sizmologjike sipas sizmologëve të vendit, Kosova është një rajon me aktivitet sizmik relativisht të lartë, që është goditur në të kaluarën dhe mund të goditet edhe në të ardhmen nga tërmetet. Territori i Kosovës ka disa zona të burimeve sizmike, ose zona sizmogjene siç quhen ndryshe, zona sizmogjene Prizren – Pejë, zona sizmogjene Ferizaj – Viti – Gjilan dhe zona sizmogjene Kopaonik.

Vendi ynë në të kaluarën është ballafaquar me mjaft tërmete. Për periudhën 1999-2022, tërmeti me i fuqishëm ka goditur regjionin e Gjilanit me datën 24/04/2002, me magnitudë 5.7 shkallë Rihter, me ç’rast kishte humbur jetën një person dhe kishte dëme të konsiderueshme të objekteve.

Termeti në Gjilan 24.04.2002

Albora.ch: Çfarë kapacitete operacionale ka Kosova, në rast të ndonjë fatkeqësie natyrore?

Tahir Ahmeti: Në raste të ndonjë fatkeqësie natyrore me përmasë më të mëdha, Kosova ka reaguesit e parë për intervenim, që jam zjarrfikësit, policia dhe shërbimet emergjente mjekësore, si dhe në raste se ju kërkohet ndihmë atëherë aktivizohen edhe reaguesit e dytë që janë Forca e Sigurisë së Kosovës. Personalisht mendoje se resurset humane janë mjafte të pakta në raste të ndonjë fatkeqësie natyrore, numri i zjarrfikësve është mjaft i vogël në shumicën e komunave, por edhe mjetet dhe pajisjet janë larg standardeve të kërkuara.

Albora.ch: E kemi pa rastin e tërmeteve në Turqi dhe Siri shumë ndërtesa janë shembur nga to, në Kosovë shumë ndërtesa janë ndërtuar viteve të fundit dhe shumë prej tyre janë aferë njëra tjetrës, sa kanë siguri qytetarët e Kosovës?

Tahir Ahmeti: Ndërtimet pa leje në Kosovë, që nga paslufta kanë ndodhur në përmasa shqetësuese.

Ky degradim i ndërtimeve përveç kaosit urbanistik sjell në vete edhe rreziqe tjera të mundshme siç mundë të jetë edhe shembja e ndonjë ndërtese.

Ndërtimet e objekteve të reja e sidomos e mbindërtimeve kanë ndodhur pa asnjë kriter apo vlerësim të sigurisë, duke rrezikuar kështu qëndrueshmërinë e objekteve.

Duke i shtuar kësaj edhe dyshimet e cilësisë së materialeve ndërtimore që janë përdorur për këto ndërtime atëherë më të vërtetë ekziston dro e madhe për ndonjë aksident të mundshëm që do të mundë të rrezikonte jetët e shumë njerëzve.

Tahir Ahmeti

Albora.ch: Në çfarë duhet të investohet në sigurimin e qytetarëve?

Tahir Ahmeti: Për sigurinë e qytetarëve është më se e domosdoshme ngritja dhe zhvillimi i kapaciteteve emergjente, ndarje më e madhe e mjeteve financiare për investime në mjete dhe pajisje, si dhe janë më së të nevojshme trajnime dhe përgatitje në vazhdimësi të njësive emergjente. Ndërsa ushtrimet praktike të koordinuara të të gjitha institucioneve kompetente, janë mënyra më e mirë për të qenë sa më të gatshëm dhe më të përgatitur për ti përballuar fatkeqësitë e mundshme natyrore.

Albora.ch: Sa është Kosova e sigurt nga ndryshimet klimatike?

Tahir Ahmeti: Fatkeqësitë natyrore janë të paparashikueshme, me intensitete dhe efekte të ndryshme, të cilat mundë të godasin çdo moment duke shkaktuar humbje të konsiderueshme të jetëve të njerëzve dhe të mirave materiale.

Jo domosdoshmërisht institucionet shtetërore mund të parandalojnë fatkeqësitë natyrore. Porse, patjetër që institucionet shtetërore duhet të garantojnë reagim të koordinuar dhe profesional, në raste te tilla.

Marketing