Hysni Rexhaj është fermeri kosovar i cili deri sot ka arritur të zbutë shumë kafshë të ndryshme, ndër to ujqër, shpezë dhe zvarranikë të shumtë.

Marketing

Kopshti zoologjik në Oskehyla ta Gjakovës, është një vend shumë i veçantë, vend ky ku frymojnë mbi 2.500 kafshë të ndryshme për të cilat Hysniu kujdeset dhe i mban vetë me forcat e veta.

Ai thotë se aftësinë për t’i zbutur kafshët e ka nga Zoti dhe për këtë e falënderon, pasi sipas tij kjo është një dhunti që nuk mund të fitohet, por të falet nga Zoti.

Ai rrëfen se nga fillimi krijimi i këtij kopshti zoologjik është realizuar vetëm nga mundësitë e tij, andaj për kushte më të mira bën apel për ndihmë, pasi nevoja për rrethimin e kësaj pjese dhe furnizimi me ushqimin e tyre nuk është gjithmonë e lehtë.

Hysniu i cili njihet ndryshe edhe si “njeriu ujk”, tregon se merr shumë komplimente nga vizitorë të ndryshëm nga vende të ndryshme të botës, dhe kjo e bën të mburret edhe më shumë me punën e tij.

Dashuria e madhe që ka për të gjitha kafshët, vëmendja që ju ofron, kujdesi ndaj seciles, bën që mes kafshëve aty të mbizotëron atmosferë qetësie dhe që të gjitha të familjarizohen mes vete.

E si kafsha më e veçantë e tij, tanimë veç është e ditur se bëhet fjalë për një ujk, të cilin e ka quajtur “Trump”. Ai tregon se i ka vendosur këtë emër duke u bazuar në ish-presidentin amerikan Donald Trump, pasi sipas tij është më i veçantë, ka karakter më interesant, e më kokëfortë se të tjerët.

E kjo lidhje e veçantë mes tyre, komunikimi i tij me të duke u kuptuar me fjalë dhe gjeste ka bërë bujë të madhe.

Dashuri të madhe ka edhe për gjarpërinjët, ai është aq pasionues pas tyre saqë nuk mungojnë as puthjet dhe ledhatimet me ta..

Hysniu thotë se do të merrte edhe më shumë kafshë por për shkak të mungeses se hapësirës momentalisht nuk mund të marr më shumë. Ai thekson se përkujdeset në mënyrë maksimale për to duke mos i ikur asnjë vaksinim dhe kontrollë mjekësore e nevojshme.

Lidhja e veçantë e komunikimit me këto kafshë ka bërë që ai të ndihmoi edhe shumë familje të cilat ishin rrezikuar nga kafshët e egra.

Ndërkohë, ai tregon se posedon hyrjen turistike më të lirë në krejt botën, me vetëm 1 euro për fëmijë dhe 2 euro për të rriturit.

Ndryshe Rexhaj i cili la edhe Zvicrën për t’u marrë më shumë me kopshtin e tij zologjik, ai kishte filluar të merret me kafshë dhe shpezë që nga mosha 6 vjeçare./albora.ch/

Marketing