Në janarin e vitit që vjen shtëpia botuese ‘W. W. Norton & Company” sjell për publikun amerikan librin: Të lirë, të rritesh në fund të historisë, një roman autobiografik e filozofi politike, nga Lea Ypi, profesoreshë e Teorisë Politike në London School of Economics. Autorja e ndan librin në dy pjesë. Në të parën ajo sjell një rrëfim mbi Shqipërinë e viteve të komunizmit dhe rënien e tij, parë nën optikën e një fëmije. Pjesa e dytë është një rrëfim mbi Shqipërinë e pas viteve ’90, deri tek trazirat e vitit 1997. Autorja thotë se libri është një reflektim, mbi lirinë, parë përmes jetës, përvojës, konflikteve dhe tensioneve të personazheve të ndryshëm, që ajo ka njohur në fëmijërinë e saj, e më vonë në adoleshencë. Ajo thotë se 20 vitet e fundit, ia ka dedikuar filozofisë politike, për të kuptuar të përbashkëtat mes traditave liberale dhe atyre socialiste, në raport me konceptin e lirisë.

Marketing

Libri ka marrë ‘shijen’ e kritikës, pas publikimit nga prestigjiozja e britanike “Penguin Books” në Londër. Ai është pritur mjaft mirë nga kritika e shtypi britanik. Botimi i tij në Shqipëri, krahas vlerësimeve u ndesh edhe me kritika. Këta të fundit thonë se libri është një përpjekje për të rehabilituar komunizmin, një formë e pajtimit me të djeshmen, duke përdorur një fëmijë si platformë. Por në një intervistë për “Zërin e Amerikës” zonja Ypi, thotë se libri është konceptuar si një dialog me lexuesit, duke mos u ofruar zgjidhje për dilemat apo konfliktet morale e politike apo se si duhet gjykuar Shqipëria komuniste apo ajo liberale.

Gjatë bisedës me Zërin e Amerikës zonja Ypi flet mbi për bindjet e saj të majta dhe pse e quan veten një kantiano-marksiste, pavarësisht se vjen nga një familje e persekutuar nga ish-regjimi komunist. Ajo thotë se e sheh kontributin e saj si një mënyrë për rikuperuar një pjesë të mendimit të majtë, që siç thotë, ka vuajtur nën diktaturat komuniste, njësoj siç kanë vuajtur ata që kanë patur bindje të djathta.

Intervista e plotë me autoren e librit ‘Të lirë, të rritesh në fund të historisë’.

Zëri i Amerikës: Lea, libri yt “Të lirë: Të rritesh në fund të historisë, është pjesërisht autobiografi dhe pjesërisht filozofi politike. Një reflektim, siç thua ti, mbi lirinë, parë përmes jetës, përvojës, konflikteve dhe tensioneve të personazheve të ndryshëm, që t’i ke njohur në fëmijërinë tënde dhe më vonë në adoleshencë. Sa e drejtë mendon se ke qenë ti në pasqyrimin e realitetit, pa ngjyrime dhe veshje ideologjike, të cilat ti ke përqafuar sot. A mendon se ke arritur të ndash Lean e vogël, atë adoleshente, nga ajo që ti je sot?

Lea Ypi: Mendoj se kam arritur në të gjithë librin, veç epilogut në të cilin doja që të fliste Lea e rritur. Gjatë gjithë pjesës së parë dhe të dytë të librit, e para që flet për Shqipërinë komuniste dhe dyta për Shqipërinë pas viteve ’90, ideja është që personazhi kryesor, që është një fëmijë, në fakt të jetë sa më larg paraqitjes së ideve të autorit. Pra megjithëse në këtë rast autori dhe personazhi kryesor koincidojnë, ideja e librit ka qenë që të ketë një personazh naiv që nëpërmjet vërejtjeve dhe kureshtjes të së cilës, të konceptohen idetë e ndryshme të lirisë që kanë personazhe të ndryshëm të librit. Dhe në fakt në libër këto personazhe të ndryshëm nëna, babai, gjyshja, kanë të gjithë një konceptim të vetin se çfarë do të thotë të marrësh përgjegjësi dhe çfarë do të thotë të jetosh në sisteme të ndryshme.

Zëri i Amerikës: Libri shpërfaq format e ndryshme të ndrydhjes së lirisë, nga dy sisteme krejt të ndryshme politike, komunizmi dhe demokracia liberale. Në të dyja, liria tradhëtohet thua ti. Por a vlen krahasimi mes të dyjave, qoftë dhe për t’i bërë homazh lirisë si koncept filozofik?

Lea Ypi: Varet se çfarë kuptojmë me krahasimin mes të dyjave. Nuk besoj se ia vlen të krahasosh një sistem me një sistem tjetër në konceptin që të thuhet që në socializëm kishte më shumë ose më pak liri, ose në liberalizim kishte më shumë ose më pak liri, pasi mendoj se çdo sistem politik ka idetë dhe vlerat tij. Ai sistem duhet të matet me mënyrën se si i reflekton ato ide dhe ato vlera të cilat i ka pjesë të boshtit të tij ligjor, strukturor, të institucioneve politike etje. Mendoj se ia vlen të reflektohet për të dyja eksperiencat, në mënyrë që nëpërmjet këtij reflektimi të mësohet diçka nga historia e kaluar, si në një sistem si ai komunist, ashtu edhe në një sistem si ai liberal, për të arritur një konceptim më të plotë të asaj se çfarë është liria, qoftë kur ajo ndrydhet nëpërmjet ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të shtetit, ashtu edhe kur ajo ndrydhet nëpëmjet strukturave që mund të mos jenë struktura shtetërore, por që janë struktura shoqërore që e pengojnë ecurinë e individëve.

Zëri i Amerikës: Çfarë është liria për ty sot?

Lea Ypi: Liria për mua është ajo që shfaqet nëpërmjet dinjitetit njerëzor dhe nëpërmjet aftësisë sonë morale për të dalluar të mirën nga e keqja, për të dalluar të drejtën nga e padrejta. Këtë aftësi morale mendoj se e kanë të gjithë individët dhe nuk ia heq dot asnjë sistem politik, sado brutal dhe sado shtypës që ai të jetë. Dhe nëpërmjet kësaj aftësie morale që ne kemi të gjithë si idividë, mund të ndërtojmë një kritikë të shoqërive në të cilat jetojmë, duke mësuar nga e kaluara.

Zëri i Amerikës: Cili sistem e mishëron më së miri konceptimin e lirisë dhe a mos ndoshta ju flisni për një sistem utopik?

Lea Ypi: Nuk besoj sepse, kur flas për konceptimin e lirisë unë nuk jap një teori institucionale se si duhet të realizohet liria. Pra për mendimin tim liria është një koncept kritik dhe kjo aftësi morale që ne kemi është një aftësi që na shërben për të ndërtuar kritikat e shoqërive në të cilat jetojmë, çfarëdo pamje që të marrin ato shoqëri. Për mendimin tim, ideologjitë bëhen utopike dhe bëhen edhe shtypëse, kur teoricienët, filozofët, paraqisin receta të detajuara se si duhet të arrihen këto shoqëri të drejta dhe çfarë duhet të përmbajnë ato, kur në fakt për mendimin tim kjo është pjesë e një përfshirjeje demokratike dhe kërkon kontributin e të gjithë individëve në një shoqëri që të elaborohet ajo teori.

Zëri i Amerikës: Pse Lea është ajo që është sot, një marksisto-kantiane?

Lea Ypi: Sepse ka dy elemente që kombinohen, idealizmi i Kantit nga njëra anë dhe aftësitë sociologjike e kritike të Marksit nga ana tjetër. Pra nëpërmjet kantianizmit ne kemi një teori morale, që na jep të kuptojmë se në çfarë mbështetet detyra morale dhe nga ana tjetër nëpërmjet filozofive kritike, si ajo e Marksit, apo edhe filozofi të tjera si ajo e shkollës së Frankfurtit, që e kanë pasuar dhe e kanë zhvilluar marksizmin në shekullin e 20-të, ne arrijmë të kemi një kritikë të shoqërisë, e cila është edhe sociologjike edhe historike, edhe më e pasur me elemente të nxjerra nga përvoja të ndryshme. Pra duhet edhe pjesa filozofike që na jep Kanti edhe pjesa e vërejtjes antropologjike, sociologjike që vjen nga këto teori të tjera.

Zëri i Amerikës: Çfarë përgjigje ke ti, qoftë dhe ndaj nënës tënde, që siç ti thua në libër, e ka të vështirë të kuptojë: se pse ti sot jep leksione e bën studime mbi Marksin; apo komenteve të një të afërmi tënd se gjyshi yt nuk shpenzoi 15 vjet në burg, që ti të mbrosh sot socializmin?

Lea Ypi: Ideja ime është se unë i kam qëndruar më shumë besnike bindjeve të gjyshit sesa shumë njerëz të tjerë nga ata që më kritikojnë. Gjyshi ishte i majtë, ai ishte pjesë e frontit popullor në Francë kur studionte në vitet ‘30 dhe shumë nga fletoret e shënimeve të tij me të cilat unë jam rritur, ishin studime që ai bënte për mendimin e majtë, i cili për të ishtë shtypur nga komunizmi, njësoj siç ishte shtypur e djathta. Pra unë e shoh kontributin tim si një mënyrë për rikuperuar një pjesë të mendimit të majtë që ka vuajtur nën diktaturat komuniste, njësoj siç kanë vuajtur ata që kanë patur bindje të djathta.

Zëri i Amerikës: Çfarë do të kishte ndryshuar tek ti sot, nëse shumë prej të vërtetave do t’i kishe mësuar më herët? Pra, që lufta e klasave ishte e drejtuar ndaj njerëzve si ti. Ti ishe armiku i klasave, nëna jote që vinte nga një familje e pasur pronarësh, gjyshja, mbesa e një pashai në perandorinë osmane, stërgjyshi, Xhafer Ypi, ish-kryeministri i 10-të i Shqipërisë.

Lea Ypi: Besoj se nuk do të kisha patur të njëjtën hapje mendore ndaj teorive të majta që kam. Po të kisha qenë vetëm 5 vjet më e madhe, pra në qoftë se do të kishte ndryshuar sistemi edhe unë do të kisha qenë 15 apo 16 vjeç, pasi t’i kisha kuptuar ato të vërteta, besoj se mendja ime do të kishte qenë më e mbyllur ndaj një bote të tërë idesh të majta, gjë që nuk e kam patur për arsye të këtyre eksperiencave që kam jetuar. Dhe kjo më ka bërë besoj dhe më të hapur.

Zëri i Amerikës: Lea, disa zëra kritikë në Shqipëri thonë se libri është një përpjekje për të rehabilituar komunizmin, një formë e pajtimit me djeshmen duke përdorur një fëmijë si platformë. Si u përgjigjesh ti atyre?

Lea Ypi: Personazhi fëminor është siç e thashë një zgjedhje letrare stilistike, që është bërë pikërisht për të paraqitur shumë ideologji të ndryshme, shumë botëkuptime të ndryshme dhe një ide pluraliste të lirisë. Pra për të mos dhënë një konceptim të autorit se si duhet gjykuar Shqipëria komuniste apo si duhet gjykuar Shqipëria liberale, etje. Dhe mendoj se një nga arsyet për të cilat libri ka qenë shumë i suksesshëm në vendet jashtë Shqipërisë, por edhe në vendet e lindjes, të Evropës, ishte pikërisht fakti që libri është konceptuar si një dialog me lexuesit, në të cilin nuk i jepet lexuesit një zgjidhje e dilemave ose e konflikteve morale e politike për të cilat libri flet. Por libri përpiqet që t’i shtojë lexuesit, që të angazhohen në një dialog, pa i dhënë të drejtë as autorit, as lexuesit. Ndaj përgjigjja ime për këto kritika do të ishte që ndoshta ta lexojnë librin dhe ta pranojnë këtë ftesë.

Zëri i Amerikës: Libri ‘Të lirë’, është publikuar në Agli, në Shqipëri, së shpejti në janar botohet edhe në Shtetet e Bashkuara, është përkthyer në më shumë se 10 gjuhë të ndryshme të botës dhe është pritur mjaft mirë nga kritika e shtypi britanik. Cila mendon se ka qenë formula fituese e tij?

Lea Ypi: Mendoj se ka qenë pikërisht fakti që është një libër shumë i hapur, një libër në të cilin autori nuk mundohet që të japë zgjidhje dhe nuk mundohet t’i diktojë lexuesit se si duhet ta kuptojë historinë, politikën dhe realitetin, pavarësisht se të gjitha çështjet që prek libri janë çështje të kohës dhe çështje me të cilat çdo individ përballet çdo ditë. Mendoj se receta ka qenë, dhe kjo është dhe ajo që lexoj edhe në reçensionet e ndryshme kritike që i bëhen librit, ka qenë pikërisht fakti që libri është shumë i hapur dhe është një ftesë dialogu të cilës shumë lexues i janë përgjigjur në mënyrë shumë positive. Dhe kjo është një gjë që më ngroh jashtëzakonisht.

Zëri i Amerikës: E përfundon rrëfimin tënd duke thënë se: e ke shkruar këtë libër për të shpjeguar, për t’u pajtuar dhe për të vazhduar betejën. Me çka je pajtuar dhe cila është beteja jote aktualisht?

Lea Ypi: Jam pajtuar me të kaluarën. Jam pajtuar me ngritjen e gishtit, me mllefin, me urrejtjen, me idenë që duhet gjithmonë të gjejnë individë përgjegjës për fatkeqsitë të cilat kemi kaluar ne vetë ose familjet tona. Jam pajtuar me familjen time me mamin me vëllain, me babain, me gjyshen që nuk jetojnë më, që kishin bindje të ndryshme politike nga unë, por që mendoj në një farë mënyrë e kam shpjeguar se si kam arritur nëpërmjet asaj biografie, dhe fjala biografi është pjesë shumë e rëndësishme e librit, që të kem bindjet që kam tani. Dhe beteja për të cilën besoj se unë vazhdoj të jem e angazhuar dhe shpresoj që të gjithë duhet të jenë të angazhuar, është një betejë për një shoqëri më të drejtë dhe më të lirë.

Marketing