Festat e fundvitit kanë bërë që qytetarët e Kosovës të shpenzojnë rreth 30 milionë euro. Megjithatë, kjo shifër është më e ulët krahasuar me vitet paraprake të shpenzimeve.

Marketing

Kjo evidentohet përmes krahasimit me 32.6 milionë euro që janë shpenzuar në vitin 2020 dhe 36.1 milionë euro në vitin 2019.

Për më tepër, numri i familjeve kosovare që festojnë festat e fundvitit është ulur nga 79% në vitin 2020 në 64% të familjeve që festojnë në vitin 2021.

Sipas raportit “Shpenzimet e familjeve kosovare për festat e fundvitit, 2021”, i realizuar nga UBO Consulting, çdo familje në Kosovë shpenzon mesatarisht mbi 150 euro për këto festa.

Arsyeja kryesore se pse familjet kosovare nuk festojnë festat e fundvitit është se këto të fundit nuk përkojnë me bindjet e tyre (një shumicë prej 83% e atyre që nuk i festojnë festat u shprehen kështu).

Arsyeja e tjetër që e pamundëson festimin e festave të fundvitit për kosovarët janë shkaqet ekonomike, e identifikuar kjo në mesin e 14% të të anketuarve.

Në raportin e UBO Consulting thuhet se 63 për qind e parave për festat e fundvitit kosovarët i shpenzuan në ushqim e pije, 13 për qind për dhurata, 11 për dekorime, 5 për qind të tjera dhe nga 4 për qind për mbrëmje muzikore dhe udhëtime.

Pjesë e raportit ishin edhe dhuratat ku qytetarët treguan për preferencat e tyre. 85 për qind preferojnë para të gatshme si dhuratë, 82 për qind preferojnë bileta për udhëtime, teksa 65 për qind preferojnë ta marrin një libër. /albora.ch/

Marketing