Një shpërthim me tritol ka ndodhur në shtëpinë e kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, pas disa ditëve me retorika të ashpra ndërmjet tij dhe kreut të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili a ka quajtur Dukën “beu” i futbollit shqiptar, duke e akuzuar si pjesë e një grupi mafioz, i cili ka marrë peng federatën dhe gjithë futbollin shqiptar, raportojnë media shqiptare.
Teksa, vetë Duka, nga vendi i ngjarjes, ka deklaruar se shpërthimi ka qenë i fortë. Sakaq, kamerat e sigurisë sipas tij, e kanë filmuar gjithë ngjarjen.
Një person me kapuç, ka qenë ai i cili e ka vendosur lëndën plasëse dhe është larguar nga vendngjarja.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, ka dhënë një deklaratë të shkurtër për mediat pasi që një sasi lënde shpërthyese iu vendos në derën e banesës së tij, mbrëmjen e së hënës.
“E ka dëgjuar i gjithë Durrësi, vunë dinamit te dera e shtëpisë. Në banesë ishin djali dhe gruaja, unë sapo erdha. Nuk e di, uroj që të jetë rastësi”, tha Duka.
“Fatmirësisht, nuk ka dëmtime në njerëz, porta është goxha larg nga banesa. Kamerat e hyrjes i kanë filmimet, duket një njeri me kapuç që afrohet te porta dhe vë dinamitin te mekanizmi që hap e mbyll portën”, shtoi Presidenti i FSHF-së për mediat. /albora.ch/