Policia e Kosovës ka njoftuar se janë sekuestruar në Lipjan disa pajisje për prodhim të kriptovalutave, shkruan albora.ch.
“Drejtoria Rajonale e Policisë së Prishtinës, respektivisht hetuesit e stacionit policor të Lipjanit pas marrjes së informatave në rrugë operative si dhe pas marrjes së autorizimit nga ana e gjyqtarit të procedurës paraprake, kanë realizuar një operacion bastisje i cili ka rezultuar me gjetjen e aparaturave për prodhimin e kriptovalutave”.
“Operacioni është zhvilluar në fshatin Dobrajë në komunën e Lipjanit ku janë ftuar edhe zyrtarët doganor, me c’rast janë sekuestruar aparaturat në fjalë si dhe nga ana e tyre është proceduar më tej me rastin”, thuhet nga Policia e Kosovës.
Ndryshe Qeveria e Kosovës më 4 janar kishte marrë vendim që të anuloj veprimtarinë e prodhimit të kriptovalutave për shkak të gjendjes emergjente të energjisë në të cilën gjendet vendi.
Për Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli vendimi ishte marrë pas rekomandimit të Komitetit Teknik për “Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë”.Rizvnolli, madje kishte njoftuar se do të angazhohen të gjitha institucionet relevante për të identifikuar dhe ndaluar prodhimin e kriptovalutave. /albora.ch/