Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka njoftuar se në tre muajt e parë të vitit 2023 është numër rekord i bizneseve që janë hapur.
Murati ka potencuar se ekonomia e vendit po vazhdon zgjerimin përkundër krizave globale.
“Në tremujorin e parë të vitit 2023 janë regjistruar gjithsej 3,086 biznese të reja, që paraqet shifrën më të lartë të regjistruar ndonjëherë. Lajmi tjetër i mirë është që në sektorin e prodhimit janë hapur 353 biznese të reja, gjë që e bën sektorin e dytë, menjëherë pas tregtisë”, ka deklaruar ai.
Më tej ministri ka treguar se Prishtina prin me numrin e bizneseve të hapura në tre mujorin e parë të këtij viti.
“Sipas komunave, prin Prishtina me 862 biznese të hapura, që len pas Ferizajn me 267 biznese të hapura, kurse në vendin e tretë është Prizreni me 261 biznese të hapura”, ka pohuar ai.