Administrata e Përgjithshme e Sporteve të Kinës ka publikuar një sërë udhëzimesh përmes të cilave u ndalon anëtarëve të ekipit kombëtar të Kinës të bëjnë tatuazhe të reja.
Nuk është hera e parë që tatuazhet kanë shkaktuar polemika në futbollin kinez, pasi lojtarët thuhet se u ndaluan t’i shfaqnin ato në vitin 2018.
Direktiva synon t’i nxisë futbollistët të japin “shembuj pozitivë për shoqërinë” dhe ata këshillojnë lojtarët që tashmë kanë tatuazhe t’i heqin ato, ndërsa ekipeve të të rinjve u ndalohet të thërrasin lojtarë me tatuazhe.
Ndërkohë, kombëtarja kineze praktikisht nuk ka asnjë shans për t’u kualifikuar në Kupën e Botës 2022 në Katar dhe nuk ka arritur të arrijë në një Botëror që nga edicioni i vitit 2002 në Korenë e Jugut dhe Japoni.
Pavarësisht përpjekjeve të Kinës për të përmirësuar futbollin vendor, ekipi kombëtar ka dështuar të japë rezultate në dy dekadat e fundit dhe qeveria po ashtu ka kritikuar kombëtaren për paraqitjet e dobëta të ekipit.