Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi në konferencën për shtyp para ndeshjes së nesërme ndaj Greqisë ka folur edhe rreth të ardhmes së tij në nivel klubesh, ku ka thënë se për momentin ‘shkurt e shqip nuk po ja nin’.

Marketing

Kosova nesër do të përballet ndaj Greqisë në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ me fillim nga ora 20:45 në duelin e dytë të edicionit të ri të Ligës së Kombeve.

Në konferencën për shtyp para kësaj sfide mjaft të rëndësishme u paraqitën përzgjedhësi, Alain Giresse dhe sulmuesi, Vedat Muriqi. Muriqi siç duket është tejet i fokusuar për përballjen e nesërme, pasi që nuk deshi të flas shumë për të ardhmen e tij sepse është i fokusuar vetëm për ndeshjen ndaj Greqisë.

“Shkurt e shqip spo ma ninë, totalisht jam i fokusuar në ndeshjet e kombëtares. Kam një përshtypje që jam i lodhur psiqikisht pasi ka qenë e vështirë që të luftojmë për mbijetesë. Për momentin nuk jam duke menduar për të ardhmen time por vetëm për këto tre ndeshje, do të vazhdoj përgatitjet sezonale me ekipin që kam kontratë dhe pastaj të shohim se çfarë do të ndodh por për momentin do të vazhdoj atje,” tha ai.

Vlen të theksohet se Muriqi kishte qenë një ndër lojtarët kryesor të Mallorcas në sezonin pranveror dhe ndoshta kishte qenë edhe futbollisti më meritor se përse në fund skuadra spanjolle arriti të siguroj mbijetesën.

Kujtojmë se ‘Dardanët’ në duelin e parë të Ligës së Kombeve arkëtuan tre pikët si mysafir ndaj Qipros, pas fitores me rezultat 0-2 me golat e shënuar nga Valon Berisha dhe Edon Zhegrova.

Marketing