Organizata e Kombeve të Bashkuara përmes një njoftimi zyrtarë ka reaguar pas vendimit të Ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla për të shpallur “non grata” një zyrtarë rus të UNMIK-ut në Kosovë, duke e quajtur këtë vendim jo legjitim, shkruan albora.ch.
Sipas zëdhënësit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Stephane Djuarric, UNMIK-u nuk ka pranuar nga autoritete e Kosovës asnjë njoftim në lidhje se një zyrtar rus i këtij institucioni është shpallur person i pa dëshiruar.
“Doktrina e ‘persona non grata’ nuk është e zbatueshme për personelin e Kombeve të Bashkuara dhe nuk është e parashikuar sipas rregullores së UNMIK-ut 2000/47 mbi statusin, privilegjet dhe imunitetet e KFOR-it, UNMIK-ut dhe personelit të tyre në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Për Djuarric, çdo shqetësim në lidhje me një anëtar të personelit të UNMIK-ut duhet t’i adresohet udhëheqësisë së Misionit në mënyrë që UNMIK-u ta trajtojë këtë çështje në përputhje me statusin, privilegjet dhe imunitetin e UNMIK-ut dhe personelit të tij.
“UNMIK-u dhe selia e OKB-së po marrin masa adekuate për të garantuar sigurinë e stafit dhe po merren me autoritetet relevante në këtë çështje”, përfundon komunikata.
Ndryshe Kryediplomatja kosovare, më 31 dhjetor njoftoi se me kërkesë Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti është shpallur “non grata” në Kosovë një zyrtar rus i UNMIK-ut, shkaku i veprimtarive të dëmshme të tij, të cilat kanë cenuar sigurinë kombëtare.
Gërvalla ka theksuar se një lidhje me këtë vendim ishin njoftuar edhe institucionet ligj-zbatuese dhe autoritete përkatëse për zbatimin e këtij vendimi. /albora.ch/