Shkalla e shtatzënisë së paplanifikuar tek adoleshentët në Maqedoninë e Veriut është 11% dhe është një nga më të lartat në Evropë. Për më tepër, shkalla e lindjeve te të miturat është 15.7 në 1000, që është pothuajse tre herë më e lartë sesa mesatarja prej 6 në 1000 lindje për vendet e Bashkimit Evropian.

Marketing

Numri më i madh i nënave të mitura janë rome, por qasja e tyre në informacion dhe shërbime për shëndetin seksual dhe riprodhues është e kufizuar. Kjo është një nga përfundimet e debatit të kësaj jave “Sa nënat e reja dhe veçanërisht gratë rome njihen dhe shërbehen nga sistemi i kujdesit shëndetësor dhe social”, organizuar nga Asociacioni për Edukim Shëndetësor dhe Hulumtim “Hera”.

Sipas hulumtimit për ndikimin e COVID-19 në qasjen e të rinjve në informacionin për shëndetin seksual dhe riprodhues, deri në 38% e të rinjve romë u përballën me vështirësi për të marrë informacionin e nevojshëm mbi shëndetin seksual dhe riprodhues. Të rinjtë nga komunitetet e cënueshme treguan dy herë më shumë nevojë për informacion mbi shumë tema të shëndetit seksual dhe riprodhues në krahasim me popullatën e përgjithshme.

Për nënat e reja dhe gratë shtatzëna, pyetjet rreth shtatzënisë, lindjes dhe kujdesit pas lindjes ishin me interes më të madh, ndërsa të rejat romë ishin më të interesuar për mbrojtjen nga infeksionet gjinekologjike, menstruacionet apo trajtimin e problemeve hormonale.

Stigma ekzistuese sociale dhe diskriminimi si dhe mungesa e dokumentacionit shëndetësor dhe sigurimit kanë kontribuar në vështirësimin e qasjes të romëve në shërbimet e shëndetit seksual dhe riprodhues. Ndjenja e frikës dhe ankthit te nënat e reja për shkak të ndërgjegjësimit të dobët për COVID-19 ka ndikuar në sigurinë e tyre shëndetësore.

Për shkak të shtatzënisë, vajzat dhe gratë e mitura largohen nga procesi arsimor. Kjo është arsyeja pse ato më vonë renditen ulët në tregun e punës. Kjo ka pasoja afatgjata jo vetëm për pavarësinë e tyre ekonomike, por edhe për shëndetin e tyre mendor. Shumë shpesh ato përballen me depresion si dhe dhunë fizike dhe seksuale, e cila më pas ndikon në mënyrë dramatike qëndrimin e tyre ndaj fëmijëve.

Marketing