Skiatoja kosovare Kiana Kryezia e cila do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike të Pekinit, u bë personazh i një artikulli të mediumit prestigjioz Asocciated Press.

Marketing

 “Pjesëmarrja në sllallomin gjigant në Lojërat Olimpike të Pekinit do të jetë një hap gjigant për 17-vjeçaren Kiana Kryeziu dhe vendin e saj Kosovën. Kryeziu është sportistja e parë nga Kosova në Lojërat Dimërore pasi ka përmbushur standardet e kërkuara,me garat e fundit të zhvilluara në Itali”, shkruan AP.

Ndërkohë, skiatorja kosovare Kryeziu tha se një nga ëndrrat e saj po bëhet realitet. “Ishte diçka që vërtet nuk e prisja se do të ndodhte kaq herët. Ishte një nga qëllimet e mia më të mëdha, ishte një nga ëndrrat e mia dhe tani po bëhet realitet”.

17-vjeçarja u shpreh se rrugëtimi i saj nuk ka qenë i lehtë, me shumë stërvitje të vështira dhe vetëm katër orë për t’u çlodhur çdo ditë.

 “Kryeziu mbështetjen e saj kryesore financiare e ka pasur nga sponsorët, por është mirënjohëse edhe për mbështetjen e federatës së skijimit të Kosovës, Komitetit Olimpik dhe Ministrisë së Sportit. Po aq e rëndësishme, “vetëm një telefonatë larg” ishte mbështetja e babait dhe trajnerit të saj”, raporton AP.

Ndërkohë, babai i skiatores tha se ajo ka filluar të garojë si skiatore rreth moshës 10 apo 11-vjeçare.

“E pashë që nëse investoja 10 për qind të kohës time tek ajo, kthimi ishte 110 për qind. Pra, atëherë pashë potencialin tek ajo dhe pashë që ajo mund të bëhej një skiatore e mirë”, tha Visar Kryeziu.

Asocciated Press tutje shkruan se trajnimi i skiatores mbaroi buxhetin e familjes, por mbështetja financiare nga sponsorët e lejoi atë të stërvitej në Austri dhe Itali, vitin e kaluar./albora.ch/

Marketing