Bota mundi të shihte për herë të parë imazhin e një vrime të zezë gjigante në qendër të galaktikës sonë që njihet edhe si “Rruga e Qumështit”, me astronomët që e etiketuan si një “gjigant të butë” me një dietë gati ekstreme.
![](https://www.albora.ch/wp-content/uploads/2023/01/ozone_zak_gif.gif)
Astronomët besojnë se të gjitha galaktikat, përfshirë tonën, kanë këto vrima të zeza në qendër të tyre, ku drita dhe materia nuk mund të shpëtojnë, çka e bën shumë të vështirë fotografimin e tyre.
Drita thyhet në mënyrë kaotike dhe përdridhet nga graviteti, ndërsa tretet në humnerë së bashku me gazin dhe pluhurin e mbinxehur.
Imazhi me ngjyra i publikuar të enjten vjen nga konsorciumi ndërkombëtar që qëndron pas teleskopit Event Horizon, një koleksion prej tetë radioteleskopësh të sinkronizuar në mbarë botën.
Tentativat e mëparshmëve kishin arritur të lokalizonin vrimën e zezë në qendër të galaktikës sonë, por pa arritur të fokusonin një imazh të qartë.
![](https://www.albora.ch/wp-content/uploads/2022/05/Vrima-e-zeze1.png)
Feryal Ozel nga Universiteti i Arizonës e quajti vrimën e zezë, “gjiganti i butë në qendër të galaktikës sonë” teksa publikoi imazhin. Vrimat e zeza gëlltisin material galaktik, por Ozel tha se kjo është “duke ngrënë shumë pak”.
Vrima e Zezë në Rrugën e Qumështit quhet Sagittarius A(asterisk), pranë yjësive të Shigjetarit dhe Akrepit. Ajo është 4 milionë herë më e madhe se dielli ynë”, deklaroi Katherine Bouman, astronome, gjatë një konference për shtyp, transmeton REL.
Kjo nuk është fotografia e parë e një vrime të zezë. I njëjti grup astronomësh publikoi në vitin 2019 një të tillë nga një galaktikë larg 53 milionë vite dritë. Vrima e zezë në Rrugën e Qumështit është shumë herë më pranë, rreth 27.000 vjet drite larg. Një vit dritë është 9.5 triliardë kilometra.
Kostoja e këtij projekti është afërsisht rreth 60 milionë dollarë, me 28 milionë prej tyre që u financuan nga Fondacioni Shkencor i SHBA-së.
Foto: Faqja e NASA-s