Migrimi masiv i qytetarëve në Ballkan ka bërë që Agjencia franceze e lajmeve “Agence France Presse”, t’i dedikoi një artikull.

Marketing

AFP shkruan se në Shqipëri, rreth 1.7 milionë njerëz, ose afërsisht 37 për qind e popullsisë, janë larguar nga vendi në tre dekadat e fundit.

“Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë prekur në shkallë të ndryshme nga emigracioni”, deklaron për këtë agjenci profesori i ekonomisë, Ilir Gedeshi.

Sipas tij, arsyet kryesore janë ekonomike dhe ato sociale zënë një vend gjithnjë e më të rëndësishëm se pse po ndodh kjo.

Dyqanet e braktisura, vëren e përditshmja franceze, dhe rrugët kryesisht të zbrazëta ofrojnë pak shenja jete në Valandovën e Maqedonisë së Veriut.

Në këtë vend, të rinjtë po ikin në një numër të madh duke shpresuar të gjejnë një jetë më të mirë jashtë vendit.

“Ashtu si pjesa më e madhe e këtij cepi të varfër të Evropës Juglindore, ky komb i vogël ballkanik është ulur mbi një bombë me sahat demografike të nxitur nga një popullsi në plakje, rënie e nivelit të lindjeve dhe migrimit masiv”, përshkruan AFP-ja, përcjell albora.ch.

Referuar dy dekadave të fundit, nga Maqedonia e Veriut janë larguar 10 për qind e popullsisë së saj.

Fshatrat dhe qytetet e vogla si Valandova, 146 kilometra larg kryeqytetit, ofrojnë pak vende pune, duke i shtyrë ambiciozët dhe të aftët të kërkojnë gjetkë.

Rezultatet fillestare nga censusi më i fundit i Maqedonisë së Veriut, i kryer në shtator, vlerëson se popullsia ka rënë me më shumë se 200 mijë banorë që nga viti 2002.

“Që nga pavarësia dhe shpërbërja e Jugosllavisë në 1991, shumë shpresonin se integrimi në Bashkimin Evropian do të siguronte një varkë shpëtimi dhe premtime për një të ardhme më të ndritshme”, vijon AFP-ja.

Ajo sjell në vëmendje faktin që rruga e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në BE është bllokuar në mënyrë të përsëritur.

Fillimisht nga Greqia dhe më vonë nga Bullgaria.

Për ata që qëndrojnë, pagat mujore janë mesatarisht 470 euro.

Përmes kësaj anekdote ballkanase, e përditshmja franceze e përmbyll artikullin e saj duke e konsideruar një situatë të ngjashme në të gjithë Ballkanin.

“Më mirë të jesh skllav për 2 mijë euro në ndonjë vend të huaj, sesa të jesh skllav me 300 euro në shtëpinë tënde”. /albora.ch

Marketing