Pasi ka shkëlqyer me grupmosha të reja, Besfort Zeneli ka firmosur kontratë profesionale me klubin e elitës suedeze, Elfsborg. Tek Elfsborgu është zhvilluar edhe Arbër Zeneli, ylli i përfaqësueses së Kosovës.
Besfort Zeneli e ka ndjekur rrugën e shkelur mirë nga vëllai i tij, Arbëri. Besforti 19-vjeçar, vëllai i vogël i Arbërit (reprezentues i Kosovës v.j.), ka luajtur për kohë të gjatë me ngjyrat “verdhë e zi”.
Si fëmijë iu bashkua skuadrës së Elfsborgut dhe tani nënshkroi kontratë profesionale për dy vjet.
Me të rinjtë e Elfsborgut ka fituar disa trofe në futbollin e Suedisë. Tani në edicionin e vitit 2022, do të luajë me skuadrën e parë.
Është folur shumë për Besfort Zenelin në vitet e kaluara. Talenti nga Borasi dhe i Elfsborgut, vëllai i ish-lojtarit të Elfsborgut dhe tani lojtarit të Reimsit në Francë, Arbër Zenelit, ka impresionuar për disa vjet rresht. Gjatë edicionit të kaluar mesfushori me tipare sulmuese shënoi plot 30 gola.
“Ka qenë vit shumë i suksesshëm për mua. Dhe arsyeja prapa kësaj, do të thosha është mënyra se si luajmë. Më parë kemi luajtur paksa ndryshe prej ekipit A, por tani kemi luajtur thuajse të njëjtin sistem dhe kjo më është përshtatur shumë. E kam gjetur rolin tim në mënyrën më të mirë dhe kam ndihmuar bashkëlojtarët dhe trajnerët”, ka thënë Besfort Zeneli për faqen zyrtare të klubit. Ai ka pritur këtë ditë për një kohë shumë të gjatë.
“Qëkur kam qenë tetëvjeçar e kam pasur këtë ëndërr. Kam kaluar nëpër të gjitha fazat dhe tani jam këtu dhe jam shumë i lumtur për këtë. Elfsborgu do të thotë shumë për mua. Klubi më ka ndihmuar brenda dhe jashtë fushës. Edhe vëllai im ka luajtur këtu po ashtu dhe ky klub ka shumë rëndësi për mua”, theksoi Zeneli i ri.
19-vjeçari thotë se puna e madhe ka bërë që ai të jetë ky që është sot.
“Gjithçka është arritur falë punës së madhe. Kam qenë njëri prej atyre që kam punuar pak më shumë dhe kam luftuar pak më shumë. Por më kujtohet edhe koha me grupmoshën U-17. Mund të them se ka qenë një prej kohëve më të mira në karrierë. Në vitet e fundit jam rritur, jam më i fortë dhe kjo më ka ndihmuar”.
Tani mesfushori synon që të arrijë më shumë. Të fitojë vendin e titullarit në skuadrën e parë, ndonëse e di mirë se do të jetë shumë e vështirë.
“Do të luftoj shumë dhe të shohim se deri ku mund të arrij. Kjo punë nuk përfundon asnjëherë. Gjëja më e rëndësishme është që ta shfrytëzosh shansin që të jepet. Tani kemi stërvitje dhe ndeshje të tjera para se të nisë kampionati në ‘Allsvenskan’. Është një luftë për të cilën duhet të stërvitesh shumë e të mësosh nga ata që kanë më shumë eksperiencë”, përfundoi Zeneli.
Bashkë me Besfortin, në ekipin e parë ka dalë edhe një tjetër futbollist, Viktor Widell.
Për menaxherin Jimmy Thelin, kjo është arritje e madhe për dy lojtarë të rinj.
“Besforti është një djalosh që ka luajtur në Elfsborg si i ri dhe është zhvilluar shumë. Është lojtar i vendosur, i cili pati një vit fantastik”, ka thënë Thelin. /albora.ch/