Zvicra do të bazohet shumë në lojën e Xherdan Shaqirit dhe të Granit Xhakës në botërorin “Katari 2022”, raporton Blick.

Marketing

Dy futbollistët shqiptarë nuk po i kalojnë momentet më të mira në skuadrat e tyre, Lyon përkatësisht Arsenal.

Për situatën aktuale të dy futbollistëve shqiptarë ka folur selektori i Zvicrës, Murat Yakin.

Shaqiri po luan pak te Lyoni dhe është raportuar për mundësinë e largimit të tij që në afatin kalimtar të janarit.

Ndërkohë Xhaka në ndeshjen e fundit mori karton të kuq, ndërsa ka humbur ndeshje të Arsenalit për shkak të koronavirusit. Ai nuk është vaksinuar ende.

“Situata nuk është e aq e mirë. Për fat kemi edhe pak kohë. Do të diskutoj sigurisht me Shaqirin. Ai është shumë, shumë i rëndësishëm për ne. Kemi synime të përbashkëta dhe duam t’i arrijmë së bashku”, ka thënë Yakin për “blick”.

Selektori i Zvicrës e sheh problemin te fakti që Shaqiri nuk ka luajtur rregullisht për kohë të gjatë.

“Për disa vjet ritmi i tij është ndërprerë sërish e sërish. Edhe te Lyoni në fillim nuk ka luajtur rregullisht. Nëse nuk keni disa ndeshje rresht nga 90 minuta, bëhet më e vështirë. Pasi trupi juaj nuk e njeh ngarkesën”, ka shtuar Yakin.

Për të bërë gjërat edhe më keq, Shaqiri ka luajtur mesfushor i djathtë në fillim te Lyoni.

“Është e vështirë kur nuk jeni 100 për qind. Për atë pozitë ju nuk duhet të keni vetëm shpejtësi dhe driblim, por duhet të punoni shumë në aspektin defenziv”.

Yakin e vlerëson pozitë jo të duhur për Shaqirin 30-vjeçar.

“Për mua ai është një dhjetëshe e qartë. Mua nuk më takon të vendosi nëse Shaqiri duhet të largohet nga Lyoni. Pyetja është se a ndihet ende mirë ai. Ai duhet ta diskutojë këtë me klubin. Ne vetëm mund të diskutojmë si ta ndihmojmë Shaqirin”, ka thënë Murat Yakin. Ai ngul këmbë që për Shaqirin është e rëndësishme të luajë.

Shaqiri është kapiteni i dytë i Zvicrës. I pari është Granit Xhaka. Yakin do ta vizitojë Xhakën në Londër. Do të shprehë falënderimin e tij për kontributin e Xhakës për Zvicrën.

Xhaka është infektuar dy herë me koronavirus dhe mungoi te Zvicra në ndeshje të shtatorit për këtë.

“Po, natyrisht se do të flas me të për vaksinimin”, ka thënë Yakin. /albora.ch/

Marketing