Xherdan Shaqiri është intervistuar nga “The Guardian” për të kaluarën e tij, rrënjët e familjes dhe vështirësitë që ai ka kaluar në fëmijëri që nga koha e luftës.

Marketing

Pasi ai mbushi 1 vjeç, familja e tij mori një vendim për t’u zhvendosur nga Gjilani në Zvicër. Lufta kishte filluar dhe situata kaotike nuk ofronte siguri për familjen dhe për vetë Xherdanin.

“Nëse ndryshon shtetin, do të shkosh në një vend ku nuk njeh askënd”, kështu e fillon rrëfimin Shaqiri për “The Guardian”. “Unë nuk vija nga një familje e pasur. Prindërit e mi punuan shumë. Nuk kaluam kohën më të mirë, por ndonjëherë kjo të bën më të fortë”.

Ata u vendosën në shtëpi në Augst të Zvicërs në vitin 1992. Babai i tij gjeti punë si punëtor krahu. Nëna e tij pastronte ndërtesa. Paratë ishin të pakta pasi familja dërgoi aq sa mundi te pjestarët e tjerë të familjes që lanë pas në Kosovë. Shaqiri thotë për mediumin britanik se ishte i vetmi i huaj në shkollë dhe futbolli ishte streha e tij.

“Në sport, ju keni gjithmonë një shans për të shpëtuar nga këto lloj gjërash. Të rritesh si person, të jesh konkurrues, të mësosh kultura të reja”, vazhdon më tej ylli i kombëtares së Zvicrës.

Talenti i Shaqirit tërhoqi vëmendjen e agjentëve të skuadrës zvicerane, Basel. Në sezonin e tij të parë të plotë pasi u kthye në profesionist, ai ndihmoi skuadrën të fitonte tre tituj dhe dy Kupa të Zvicrës në vetëm tre vjet. Më pas, në vitin 2012, realizoi një transferim te Bayern Munich, ku ai ishte pjesë e ekipit tripletës së fituar në sezonin 2012-13.

Një periudhë e shkurtër te Interi u pasua nga një kalim te Stoke City. Por, rënia e Stoke në Championship në vitin 2018, i hapi derën për te Liverpooli, duke luajtur pjesë të rëndësishme në fitimin Champions League dhe Premier League.

“Unë gjithmonë do të shikoj prapa me shumë krenari. Mendoj se ajo që arritëm është e mahnitshme”, shton ai.

Fokusi i Zvicrës është kualifikimi për Euro 2024 në Gjermani  dhe kjo mund të jetë një urë emocionale për Shaqirin pasi në Grupin I ku gjendet Zvicra, është edhe Kosova.

Në Kampionatin Botëror të vitit 2018, Shaqiri kishte të stampuar flamujt e të dy vendeve në thembra të atleteve të tij. Xherdani flet më tej për “The Guardian” se ai viziton Kosovën sa herë që mundet, derisa tregon për shtëpinë e tij në Zhegër të Gjilanit.

“Shtëpia jonë u dogj. Në mure shkruheshin gjëra. Gjithçka ishte bosh”, vazhdon rrëfimin Shaqiri.

“Unë luaj për Zvicrën. Por, unë kam lindur në Kosovë dhe i dua të dy vendet. Unë do të jap 100 % për Zvicrën. Me siguri do të jetë një moment krenarie. Do të shijoj çdo moment për të luajtur atje, sepse e gjithë familja ime do të vijë. Do të jetë emocionale për mua. Dhe jam i sigurt se do të kemi një pritje shumë të ngrohtë”.

Në moshën 31-vjeçare, zjarri në sytë e tij, i kalitur në fëmijëri në një sfond lufte dhe sakrificash, vazhdon të digjet me vendosmëri.

Marketing