Sindikata e Bashkuar, Arsimit dhe Shkencës përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se të premten shkollat nuk punojnë, pasi punëtorët arsimorë do të jenë në protestë.
![](https://www.albora.ch/wp-content/uploads/2023/01/ozone_zak_gif.gif)
Në njoftim thuhet se kjo bazuar në vendimin e federatave sindikale në kuadër të BSPK-së.
“Duke u bazuar në vendimin e federatave sindikale në kuadër të BSPK-së, në orët e mbrëmjes së të mërkurës është mbajtur takim i jashtëzakonshëm i SBASHK-ut me kryetarët e nivelit komunal sindikal dhe të Universiteteve.
Pas një debati konstruktiv është rikonfirmuar se në protestën e thirrur më 20 maj nga BSPK-ja e bazuar në zërin e anëtarësisë do të marrin pjesë në mënyrë masive edhe të punësuarit në sektorin e arsimit.
Duke u bazuar në këtë pjesëmarrësit në takimin e jashtëzakonshëm të SBASHK-ut kanë sjellë vendim që të premten shkollat nuk punojnë sepse punëtorët arsimorë me kohë do të nisen nga vendbanimet e tyre për t’u bërë pjesë e protestës”, thuhet në njoftim.
SBASHK-u thotë se ndien keqardhje për gjendjen e krijuar e cila është pasojë e mungesës së gatishmërisë së Qeverisë për dialog dhe për angazhim në zgjidhjen e kërkesave legjitime të punëtorëve në arsim, që nga çerdhet e deri në Universitete e kulturë, por edhe në sektorët tjetër.
Sindikata e Arsimit i ftuar edhe përfaqësuesit e Këshillave të prindërve të jenë pjesë e protestës.
“Po ashtu apelojmë të prindërit që për hir të sigurisë së fëmijëve të tyre nesër mos t’i nisin për në shkollë sepse shkollat janë pa personelin arsimor, të cilët pa fajin e tyre janë të detyruar të protestojnë në përpjekje për realizimin e kërkesave të tyre.
Në këtë protestë do të jenë edhe anëtarësia e SBASHK-ut nga të gjitha Universitetet e Kosovës, kurse nga anëtarësia jonë në çerdhe kërkojmë mirëkuptim në mënyrë që puna atje të mos ndalet nesër, por përfaqësues nga këto institucione të marrin pjesë në protestë pa e cenuar rrjedhën e procesit të punës në çerdhe.
Të lutemi bashkë që Qeveria të reflektojë dhe të mos kemi arsye të shkojmë drejt veprimeve edhe më radikale, thuhet më tej.