Gjuha Shqipe është gjuha më e bukur, më ëmbel, më e dashur nga të gjitha gjuhët e botës, dhe keshtu është edhe për shqipetarët që jetojnë në Zvicër. Shkolla shqipe në Zvicër këto vitet e fundit ka berë një revolucion sa i përket shkollimit dhe edukimit të femijëve shqiptar dhe është vatra e arsimit shqip atje.

Marketing

Në intervistën e mëposhtme shikoni rëndesinë e “Shkollës Shqipe” në Zvicër dhe roli i saj edukativ arsimor në ngritjen e njohurive të fëmijëve shqipëtar atje.

Anita Duriçi

Anita Duriçi, mësuese në shkollën shqipe të Lozanës në Zvicër rrëfen ekskluzivisht për Albora.ch si është hapur shkolla shqipe, në sa kantonte shtrihet tani dhe nga kush kanë marrë përkrahjen më të madhe. Ajo në intervistën e dhenë ka treguar rendesinë që ka gjuha shqipe për femijët atje dhe kërkesat që kanë.

Albora: Prej sa kohesh funksionon shkolla shqipe?

Anita Duriçi: “Shkolla Shqipe” në Zvicër funksionon si institucion edukativ që prej vitit 2018, ku si sponsor zyrtar për hapjen e klasave shqipe është njohur Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Bernë. Qendra e “Shkollës Shqipe” është në Zyrih, ndërsa deri tani shtrihet në 16 kantone. Janë hapur që nga viti 2018 rreth 100 klasa shqipe dhe vazhdojnë të hapen të tjera pothuajse çdo muaj, numri i nxënësve të regjistruar në të gjithë Zvicrën ka kaluar shifrën mbi 1000 nxënës shqiptarë.

Albora: Sa fëmijë vijojnë mësimin e gjuhës shqipe aktualisht?

Anita Duriçi: “Shkolla Shqipe” në kantonin e Vodit është hapur në fillim të vitin 2021 dhe në Lozanë janë dy qendra shkollore ku zhvillohet mësimi shqip, në shkollën Entre-Bois dhe në shkollën Prelaz. Por shkolla shqipe ka klasa edhe ne qytete të tjera të kantonit Vaud, si Ecublens, Vevey, Aigle, Sierre dhe Sion dhe shpresojmë që  në vitin shkollor 2022-2023 të hapim edhe  në Morges, Montreux, Bex dhe qytete të tjera.  Në Lozanë janë rreth 30 nxënës të regjistruar në shkollën Shqipe dhe interesi dhe perkrahja është e madhe nga ana e prindërve, por siç dihet komuniteti shqiptar në Zvicër është i madh. Bazuar ne statistikat zyrtare, në Zvicër ka rreth 40 mijë fëmijë të moshës shkollore që i përkasin diasporës shqiptare. Po të krahasojmë interesin e pakicës me numrin e shumtë të shqiptarëve do të vëmë re që shumica e fëmijëve shqiptar nuk mësojnë gjuhën shqipe në shkolla kështu që është e nevojshme sensibilizimi i të gjithëve për mësimin e gjuhës shqipe.

Albora: Si funksiononi si shkolle, dhe nga kush keni marrë përkrahje ?

Anita Duriçi: Nga Gushti 2018 Ambasada e Republikës se Shqipërisë në Bernë së bashku me një grup mësuesish është njohur si sponsor zyrtar i mësimit të gjuhës shqipe në diasporën shqiptare në Zvicër. Duke organizuar kështu atë që tashmë quhet “Shkolla Shqipe” në Zvicër. Mësuesit në çdo kanton punojnë në mënyrë vullnetare me dëshirën e madhe për të kontribuar në përhapjen e gjuhës shqipe.

Sa mesimdhenës jeni aktualisht, nga kush udhehiqet shkolla dhe a eshte interesimi i madh qe femijet shqipetare qe vijojne mesime shqip ?

“Shkolla Shqipe” funksionon mbi bazën e një strukture të organizuar duke filluar nga Këshilli i Arsimtarëve si dhe Këshilli i “Shkollës Shqipe” në Zvicër, ku janë të përfshirë mësimdhënësit dhe prindërit. Në të janë aktivizuar mësues në mënyrë vullnetare të cilët punojnë individualisht për gjetjen e nxënësve dhe organizimin e mësimit. Shkolla Shqipe dhe Ambasada, në përputhje me legjislacionin vendas, vetëm normalizojnë kërkesat drejtuar drejtorive të shkollave ku synohet hapja e klasave të mësimit të gjuhës shqipe ose dhe drejtorive të kantoneve sipas rastit dhe legjislacionit të secilit kanton.

Objektivi është të shtrihemi në gjithë territorin e Zvicrës.  Puna për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë bazohet në strategjinë e përbashkët të mësimit të gjuhës shqipe në diasporë, të qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës si dhe akteve ligjore e nënligjore në mbështetje të saj.

Mbështetje kemi nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Bernë e cila bashkërendon veprimtarinë e saj për mësimin e gjuhës shqipe me simotrën e saj ambasadën e Republikës së Kosovës dhe atë të Maqedonisë së Veriut, nga shteti shqiptar, Ministria e Arsimit dhe ajo e Jashtme por një ndihmë të madhe kemi marrë nga Qendra e librit për Diasporën.

Interesi për mësimin e shqipes po rritet dita ditës. Ne përpiqemi që fëmijëve tu mësojmë gjuhen shqipe, kulturën shqipe, histori, gjeografi dhe mbi të gjitha t’i motivojmë që ta duan mësimin, librat dhe të kultivohen në mënyrë që nesër të jenë qytetarë të shëndetshëm.

Mësimi i gjuhës amtare për fëmijët e diasporës shqiptare nuk është thjesht dhe vetëm një detyrim moral e kombëtar por ai ndikon drejtpërdrejt në formimin e fëmijëve dhe i bën ata më të aftë për t`u integruar në kulturën dhe vendin pritës. Një njeri i cili nuk njeh rrënjët e veta është shumë vështirë të integrohet e të hedhë rrënjë në një mjedis të huaj.

Anita Duriçi-mësuese e shkollës shqipe

Ju falënderoj për interesin ndaj “Shkollës Shqipe” dhe për intervistën në kuadër të përhapjes së mësimit të gjuhës shqipe, tematikë e cila prek të gjithë diasporën shqiptare në Zvicër.

ALBORA.CH

Marketing