Daniele Orsato është një nga arbitrat më ekspertë në Itali. Në moshën 46 vjeç, gjyqtari po përgatitet për fundin e karrierës dhe ka bërë një bilanc.

Marketing

Një karrierë e shoqëruar nga shumë objektivë të arritur në nivel kombëtar dhe në atë ndërkombëtar. Një rrugëtim që Orsato e ka ripërshkuar në një intervistë të dhënë për “Corriere del Veneto”. Arbitri ka kujtuar momentin kur ka mësuar se ishte zgjedhur si arbitri i finales së Champions League. Një moment që ka qenë shumë emocionues për të.

“Në fushë jam serioz dhe madje i vrazhdë, ndërsa në jetën e përditshme jam ndryshe, shumë më i qetë dhe i qeshur. Është roli që kam për 90 minuta që më bën të jem i rreptë dhe ndonjëherë shumë i ashpër.

Po stërvitesha në Recoaro kur më ka ardhur një video-telefonatë nga Roseti, përzgjedhësi i arbitrave të UEFA-s. Më ka bërë një pyetje: Je gati për të bërë një ndeshje? Në atë periudhë e vetmja ndeshje për t’u luajtur ishte finalja e Champions-it mes PSG dhe Bajern Mynih.

Jam kthyer në shtëpi, jam ulur në krevat dhe kam qarë. Kur fëmijët e mi më kanë parë me lot në sy e kanë kuptuar menjëherë se më ishte dhënë finalja dhe jemi përqafuar”.

Orsato ka folur edhe për Europianin duke u shprehur:

“Kam arbitruar tri ndeshje: Angli-Kroaci, Spanjë-Poloni dhe Ukrainë-Suedi, më pas jam kthyer në shtëpi sepse kombëtarja jonë ka vazhduar përpara dhe jam i lumtur që ka shkuar kështu. Europiani ka qenë një eksperiencë shumë e bukur.

Botërori? Unë kam marrë pjesë në atë të Rusisë në 2018-ën dhe kam qenë arbitër i VAR-it në finale. Do të mbush 47 vjeç 23 nëntorin e ardhshëm pikërisht në ditët e Kupës së Botës dhe në këtë fazë jam në konkurrencë më shumë arbitra të fortë dhe të rinj”, deklaroi Orsato./Albora.ch/

Marketing