Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, u shpreh i shqetësuar lidhur me planet e restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës, e cila sipas Ministrisë së Kulturës është një prej objekteve më të veçanta të trashëgimisë kulturore në këtë komunë.

Marketing

Sipas Rohde kjo mënyrë e të kujtuarit është e gabuar. Ai bëri thirrje që të mos shtrembërohet e vërteta sa i përket Holokaustit.

“Shumë i shqetësuar për planet e restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës, një bashkëpunëtor/protagonist i njohur nazist i SS famëkeq Skënderbeg Div. Asnjë zbardhje e historisë! Mos e shtrembëroni të vërtetën në lidhje me Holokaustin ose krimet e luftës të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët vendas. Mbro Faktet”, ka shkruar Rohde në Twitter.

Diplomati gjerman tutje tha se kultura e kujtesës dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore duhet të merren si mundësi për t’u marrë me të kaluarën në mënyrë të hapur dhe të vërtetë.

“Ambasada Gjermane është e gatshme të mbështesë çdo qasje të arsyeshme ndaj kulturës së kujtesës në Kosovë”, shkroi ambasadori gjerman.

Ndryshe, ditë më parë, Ministria e Kulturës njoftoi se më 1 shkurt kanë filluar punimet restauruese në Shtëpinë e Xhafer Devës, e cila u ndërtua më 1930 në qendër të vjetër të qytetit nga arkitektë dhe punëtorë austriakë dhe se ky projekt pritet të përfundojë brenda këtij viti. /albora.ch/

Marketing