Qeveria e Kosovës e ka lënë të hapur mundësinë e kyçjes në rrjetin e Gazsjellësit të Trans-Adriatikut (TAP), pasi vitin e kaluar nuk e kishte shtyrë përpara një projekt të tillë, duke u thirrur në koston e lartë të tij.

Marketing

Ndërkaq, ekspertët e energjisë dhe organizatat joqeveritare po i bëjnë thirrje Qeverisë, të udhëhequr nga Albin Kurti, që të diversifikojë burimet e energjisë, përfshirë edhe gazin, si mundësi për rritje të sigurisë energjetike.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, në një përgjigje me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë, tha se Ministria e Ekonomisë, përmes Strategjisë së Energjisë 2022-2031 – që është në proces të finalizimit – ka analizuar edhe opsionin e gazit.

Aktualisht, sipas tij, në proces të zhvillimit janë dy studime të fizibilitetit: gazsjellësi Maqedoni e Veriut- Kosovë, dhe master-plani i gazit natyror në Kosovë.

Kosova vitin e kaluar ndërpreu projektin për ndërtimin e infrastrukturës së gazit.

Gazi, mundësi për diversifikimin e burimeve të energjisë

Kjo ndërprerje e projektit ishte bërë me arsyetimin se ka një kosto të lartë dhe se nuk ishte ekonomikisht i favorshëm. Korporata amerikane Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC) kishte thënë se do t’i jepte Kosovës një grant deri në 200 milionë dollarë, që do të mund të shtetëzohej për infrastrukturën e gazit.

Eksperti i fushës së energjisë, njëherësh ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, thotë për Radion Evropa e Lirë se ekzekutivi kosovar është dashur që tani të punojë se si ta shfrytëzojë mundësinë e gazit.

Ai thotë se është koha që Qeveria të intensifikojë proceset dhe të gjejë mundësitë të cilat mund t’i shfrytëzojë në këtë drejtim.

Ndërkaq, në një analizë të publikuar në prill të këtij viti, Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) tha se linjat rajonale të furnizimit me gaz natyror janë një mundësi e rëndësishme për të diversifikuar burimet e energjisë dhe për të rritur sigurinë energjetike, transmeton REL.

Ky institut kërkoi që autoritetet në Kosovë të intensifikojnë përpjekjet për të nxitur dhe zhvilluar procesin e projektit për ndërtimin e infrastrukturës së gazit.

Në kontekstin e Kosovës, aktualisht vendi nuk ka qasje në tregun e gazit, nuk ka infrastrukturë, dhe nuk ka furnizime me gaz natyror.

Korniza legjislative dhe rregulluese është në fillet e saj.

Foto: Pixabay / Ilustrim

Marketing