Vuçiqi, përkatësisht Serbia, e mbështetur me zell nga Edi Rama dhe qeveria e Shqipërisë dhe tash e përkrahur edhe nga Ali Ahmeti dhe Dritan Abazoviqi e fton Kosovën, jo si shtet po si regjion, jo si Kosovë, po si Prishtinë, t’i bashkohet “Ballkanit të Hapur”, i cili nga perspektiva serbe është “bota serbe”, që i bie Serbia e Madhe. SHBA-ja e përkrahu këtë iniciativë, por e bëri shumë të qartë se kjo përkrahje vlen vetëm nëse të gjithë trajtohen të barabartë, kurse kancelari gjerman la të kuptohet se “Ballkani i hapur” nuk mund ta zëvendësojë Procesin e Berlinit, deri sa qëndrimi i BE-së vazhdon të jetë i paqartë.

Marketing

Shkruan: Ymer Avdiu

Lëvizja e lirë e njerëzve, ideve, mallrave, kapitalit, bashkëpunimi rajonal, heqja e doganave dhe policisë kufitare dhe qarkullimi i lirë dhe i papenguar nëpër kufij, njohja e diplomave dhe marrëdhëniet pa pengesa ndërmjet njerëzve janë veprime që i lakmon dhe i dëshiron çdo shoqëri demokratike dhe e avancuar dhe secili qytetar i botës.

Mbi këto premisa kaq joshëse dhe fisnike njëkohësisht po proklamohet “Ballkani i Hapur”, të cilës iniciativë me tamam askush nuk ia di as qëllimin dhe as autorin: Vuçiqi, duke e falënderuar kryeministrin e Shqipërisë si krah të djathtë të tij, la të kuptohet se ai është iniciatori; ministri i jashtëm rus, Lavrov tha se është nismë ruse, shumë të tjerë thonë se është nismë dhe ide e Sorosit e madje edhe Ali Ahmeti tha se është ide dhe iniciativë e tij personale.

Në parim kjo nismë u përkrah edhe nga BE-ja (por që nuk dihet ende qëndrimi i saj ndaj kësaj nisme) e së fundi edhe nga SHBA-të, (që e qartësuan se si duhet të jetë, që ta ketë përkrahjen e Amerikës). Dy vendet e tjera të rajonit, Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina, nuk e kundërshtuan me këmbëngulje si më parë dhe kjo u pa me pjesëmarrjen si vëzhgues të përfaqësuesve të këtyre dy vendeve në takimin e Ohrit. Vetëm Kosova nuk mori pjesë dhe e vazhdon me këmbëngulje kundërshtimin. Pra, Kosova duket si zë i vetmuar dhe kjo e ka vënë në pozitë jashtëzakonisht të rëndë dhe e ka mbështetur me shpatulla për muri.

Pamja e rrejshme për Kosovën

Nga kreatorët e “Ballkanit të Hapur” po mundohet të krijohet pamja e rreme se Kosova është fajtorja, që i pengon proceset integruese dhe rrjedhimisht paqen në rajon dhe më gjerë dhe për krijimin e kësaj pamjeje të shtrembër është duke u kujdesuar veçmas piktori kryeministër i shtetit amë të Kosovës, Edi Rama, i cili pos që u tallë me viktimat e luftës së Kosovës e paraakuzoi Kosovën, qeverinë dhe popullin e saj se ata vetë po e izolojnë vetveten. Njëkohësisht Vuciqi, përkatësisht Serbia, e mbështetur nga Edi Rama dhe qeveria e Shqipërisë dhe tash e përkrahur edhe nga Ali Ahmeti dhe Dritan Abazoviqi e fton Kosovën, jo si shtet po si regjion, jo si Kosovë, po si Prishtinë, t’i bashkohet “Ballkanit të Hapur”, i cili nga perspektiva serbe është “bota serbe”, që i bie Serbia e Madhe. Pikërisht në këtë kohë Kosova po shihet si fajtore edhe për mossuksesin e bisedimeve Kosovw-Serbi, të shndërruara në “lojëra pa kufi”, nga të cilat Kosova nuk ka përfituar bash asgjë, kurse Serbia po e mban gjendjen e ngrirë, duke e penguar kështu zhvillimin e Kosovës në të gjitha sferat.

Për opinionin e Kosovës, Qeverinë, opozitën, institucionet në përgjithësi dhe për qytetarët e saj, të cilët nuk kanë informacione, se kush e nisi dhe ku çon kjo iniciativë, “Ballkani i Hapur” synon ta zëvendësojë Procesin e Berlinit, përkatësisht anëtarësimin në BE dhe në instancë të fundit largimin e rajonit nga perspektiva evro-amerikane dhe kthimi në Lindje dhe zhbërja e shtetësisë së Kosovës. Argumentet për një rezonim (frikë) të tillë nuk janë nga ndonjë patologji, por të argumentuara mbi shumë fakte.

Serbia në Kushtetutën e saj vazhdon ta mbajë ende Kosovën si pjesë të sovranitetit të shtetit serb. Presidenti i Serbisë, Vuçiq, në ceremoninë e betimit para Parlamentit të Serbisë u betua se do të punojë që Kosovë të mbetët pjesë e Serbisë dhe pengesa të shumta të tjera që Serbia i bën Kosovës.

Serbia. duke qenë fuqia më e madhe ushtarake e rajonit, po vazhdon të armatoset me armët më moderne. Shtrohet pyetja pse vazhdon te investojë kaq shumë në ushtri, kur atë nuk e rrezikon askush? Arsyeja është qe Serbia të ruajë ato që ka arritur deri me sot nw Bosnjw dhe Kosovë (Republika Srpskan dhe Veriun e Kosovës) si dhe ta mbajë peng Kosovën, Bosnjën dhe Malin e Zi. Nëpërmjet një ushtrie te fortw u dërgon mesazh vendeve të rajonit se këtu ka konflikte te ngrira, dhe njëkohësisht Serbia e di shume mirë se Perëndimi preokupim kryesor ka paqen dhe stabilitetin dhe rruga më e mirë për ta mbajtur këtë paqe (të përkohshme ) dhe për te mbajtur afër Serbinë janë përkëdheljet dhe investimet perëndimore prej miliarda eurosh.Kështu që strategjia e Serbisë po funksionon si orë zvicrane. Në vend të dënimit merr shpërblim (investime), ndërkaq, nëpërmjet “Ballkanit të Hapur” ka arritur ta përçajë dhe çorientoje totalisht faktorin shqiptarë, duke e kthyer qeverinë shqiptare kundër interesave të Kosovës dhe popullit shqiptar të Kosovës, madje tash kësaj valleje iu bashkëngjiten edhe Ali Ahmeti në cilësinë e liderit të shqiptarëve të Maqedonisë dhe Dritan Abazoviqi si kryeministër i Malit të Zi, duke e izoluar kështu Kosovën edhe nga faktori tjetër shqiptar.

Serbia, kështu e patrazuar do të vazhdojë të ecë me të njëjtën strategji, duke e mbajtur këtë gjendje të ngrirë, që, siç e kanë theksuar me dhjetëra herë shumë analistë, kryesisht amerikanë si Bugajski, Serwer e të tjerë, kjo situatë është shumë e rrezikshme për paqen në rajon, Evropë dhe më gjerë.

Dallimi ndërmjet Procesit të Berlinit dhe Ballkanit të Hapur është esencial, sepse Procesin e Berlinit e ka bërë Gjermania, e përkrahur nga BE dhe SHBA me synim të qartë për t’i integruar vendet e Ballkanit Perëndimor në BE, duke e financuar dhe krijuar siguri për të gjitha vendet. Kurse “Ballkani i Hapur”, është e kundërta e saj. E në rastin më të mirë është pandan, përkatësisht veprim për ta minuar Procesin e Berlinit dhe për ta mbajtur këtë gjendje të ngrirë në rajon.

Po të ishte i bashkuar faktori shqiptar…

Tw gjendura në një situatë të tillë, Qeveria dhe institucionet e Kosovës duket se e kanë humbur udhën në oborr. Qeveria Kurti (që për çështje fondamentale nacionale e ka edhe përkrahjen e opozitës dhe të shoqërisë së gjerë, si dhe shumicën parlamentare për secilin vendim) sikur e ka “ngrirë kokën” dhe nuk jep përgjigje për asnjë çështje dhe nuk ndërmerr asnjë veprim si për çështjen e Asociacionit (Zajednicës), si për çështjen e pronës për Manastirin e Deçanit, që i është dhënë me një vendim të kohës së Millosheviqit, por i miratuar edhe nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, të cilën zgjidhje po ia kërkon Bashkësia Ndërkombëtare, veçmas partnerët strategjikë të Kosovës. E po ashtu, pos refuzimit, nuk ka asnjë alternativë as për “Ballkanin e Hapur”. Ajo që e dimë të gjithë është se kundërshtimi nuk është zgjedhje dhe nëse brenda një kohe shumë të shkurtër Qeveria e Kosovës dhe institucionet tjera të vendit nuk ofrojnë alternativë, ka rrezik që pasojat do të jenë të paparashikueshme për Kosovën dhe për qytetarët e saj.

Qeveria e Kosovës me të drejtë e kundërshton “Ballkanin e Hapur” si veprim antishqiptar dhe anti shtetit të Kosovës. Mirëpo, duhet të ofrojë alternativë dhe madje të marrë pjesë në samite, duke kërkuar përgjigje decidive për secilin akt: Me çfarë statusi hyn Kosovë në Ballkanin e Hapur, çfarë përfiton, a do ta njohë Serbia Kosovën si subjekt të barabartë brenda këtij procesi, a do t’i njohë dokumentet shtetërore të Kosovës, a do të lejohet plasimi i mallrave të Kosovës në Serbi, a do të njihen diplomat e Kosovës, a do të jenë të sigurt qytetarët e Kosovës të qarkullojnë dhe të tregtojnë brenda territorit të Serbisë, kush e garanton sigurinë e Kosovës nga ndonjë veprim shtetëror serb (invadim policor-shtarak) kur kufijtë janë të hapur dhe kur Serbia nuk e njoh subjektivitetin e saj si shtet, por e njeh si territor të vetin.

Është e vërtetë se BE-ja dhe SHBA-ja e përkrahën në parim “Ballkanin e Hapur”, por, përkundër qëndrimeve të mjegullta të BE-sw, SHBA ishin shumë të qarta se e përkrahin vetëm nëse të gjithë janë të barabartë dhe vetëm si nismë ekonomike dhe që nuk e zëvendëson në asnjë mënyrë integrimin e rajonit në BE, madje sipas agjencisë së lajmeve të Serbisë “Tanjug”, ambasadori amerikan në Serbi Kristofer Hill, në një konferencë shtypi këto ditë ia bëri të qartë Serbisë se nuk ka më hapësirë për qëndrim në dy karrige.

Kancelari gjerman ishte po ashtu shumë i qartë se “Open Ballkani” nuk mund ta zë vendin e Procesit të Berlinit dhe të shpresojmë se qeveria e re e shtetit gjerman, i cili ka investuar miliarda euro në Serbi, të kalojë nga fjalët në veprime konkrete. Prandaj, Qeveria Kurti, duhet ta heqë litarin nga qafa e vet dhe kjo nuk bëhet duke refuzuar, por duke bashkëpunuar si me faktorin shqiptar (opozitën, shoqërinë civile dhe akademike si dhe më të gjitha institucionet dhe subjektet shqiptare në rajon dhe veçmas me partnerët ndërkombëtarw, sidomos me SHBA-tw, si bashkëndërtues të shtetit të Kosovës. Është koha e fundit që Qeveria dhe institucionet e vendit të kenë përgjigje të qartë dhe të koordinuar edhe me partnerët strategjiwk për të gjitha çështjet që po i kërkohen Kosovës.
Mosmarrëveshjet e elitave shqiptare dhe kapricet e tyre në momentet më vendimtare në dy shekujt e fundit na tkurrën në gjeografinë e sotme dhe shqiptarët janë ndër pak kombe që e kanë diasporën trefish e më shumë më të madhe sesa popullsinë brenda atdheut. Po të ishte i bashkuar faktori shqiptar, gjendja do të ishte krejt ndryshe. Prandaj është detyrë e subjekteve shtetërore të Kosovës të punojnë maksimalisht për këtë unitet dhe për bashkëveprim me të gjitha subjektet shqiptare në rajon dhe veçmas me Republikën e Shqipërisë, duke ofruar argumente, vizion dhe alternativa. Së paku me këtë veprim e heq barrën e fajit nga vetja dhe qartëson tamam pozicionin e Kryeministrit aktual shqiptar se me “Ballkanin e Hapur” mban anën e Kosovës apo të Serbisë.

Foto: Wikipedia

Marketing