Në ditën e parë të qëndrimit në shtetin e Illinois, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti zhvilloi takim me themeluesin dhe drejtorin ekzekutiv, Adam Zeck, dhe drejtoren e Shitjeve, Marketingut dhe Operacioneve, Jeta Zagragja, e kompanisë UCX.

Marketing

Kjo kompani, që nga maji i vitit të kaluar, ka filialin e saj edhe në Kosovë. UCX është kompani lidere në SaaS (Software as a service) që u ofron shërbime mbi 2500 bizneseve të ndryshme që të zgjerojnë kapacitetet e tyre të shitblerjes online (E-Commerce).

Ajo është një nga kompanitë e para teknologjike që ka bërë investim serioz në Kosovë, duke u besuar operacione kryesore të kompanisë profesionistëve të rinj të vendit tonë. Me përvojën e deritanishme dhe të drejtpërdrejtë me sektorin e Teknologjisë së Informacionit në Kosovë, UCX paraqet mundësi të mirë të promovojë potencialin e vendit tonë në industrinë e teknologjisë dhe inovacionit.

Kryeministri Kurti, gjatë bisedës tha se qeveria e tij e mbështet zhvillimin dhe rritjen e potencialit dhe kapaciteteve të TI. Ai i falënderoi drejtuesit e saj për mikpritjen dhe investimet e tyre në Kosovë, si dhe i ftoi ata që gjithmonë ta kenë në konsideratë Kosovën në planet e tyre të zgjerimit. ​

Kryeministri Kurti u takua me drejtuesit e kompanisë MATTER

  • Pas vizitës në kompaninë UCX, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti u takua me z. Steven Collens, drejtorin ekzekutiv të MATTER, dhe znj. Katie Kosko, menaxheren e partneritetit.

MATTER është inkubator global i startup-eve në fushën e kujdesit shëndetësor që përbëhet nga ndërmarrës, inovatorë dhe liderë të industrisë që punojnë me 200 startup-e të kujdesit shëndetësor, kompani partnere të 11 spitaleve, pesë universitete dhe mbi 40 kompani lidere të industrisë.

Në këtë takim, kryeministri Kurti foli për përmirësimet në indikatorët ekonomikë dhe të demokracisë, prioritetet e mandatit të tij dhe potencialin e vendit për investime, sidomos në fushën e Teknologjisë së Informacionit. Duke folur për agjendën e digjitalizimit, ai tha se digjitalizimi i shërbimeve shëndetësore dhe themelimi i Sistemit Informativ Shëndetësor janë dy prej objektivave kryesore nëpërmjet të cilave synojmë që të transformojmë sektorin e shëndetësisë në vend. Me z. Collens dhe znj. Kosko u diskutuan mundësitë premtuese të bashkëpunimit. ​

Marketing