Familjarë të shumtë përkujtuan familjarët e tyre në Kompleksin Memorial “Lëndina e pikëllimit”, dhe me dhimbje e me lot në sy flasin për më të dashurit e tyre të cilën u vranë më 27 prill 1999, derisa kërkuan që kryerësit e kësaj masakre të vihen para drejtësisë, raporton Ekonomia Online.

Marketing

Xhevahire Pajaziti, mes lotësh tregon se në këtë masakër i është vrarë djali i saj. Tha se nuk ka asgjë më të dhimbshme sesa të shohësh vdekjen e djalit.

“Nuk ka asgjë më të dhimbshme për nënën se me pa vdekjen e djalit. Ka qenë shumë e dhimbshme. E kanë marrë serbët dhe e kanë marrë me veti e kanë dërguar në Serbi e kanë varrosur atje. Kur kanë filluar me u gjet varrezat i kanë kthy trupat në Kosovë”, tha ajo.

Ajo kërkoi që kryerësit e këtyre masakrave të vihen para drejtësisë.

Në këtë masakër, i vrarë ka mbetur edhe djali 14-vjeçar i Xhevë Metës. Ajo tha se është krenare kur qytetarë të shumtë bëjnë nderime në këtë masakër.

“Jena kanë shumë të mërzitshëm dhe sot jam më krenare që po shoh këtë popull që ka ardhur. Mu ka vra djali 14 vjet. Dhimbjet e tyre nuk i harrohet kurrë. Mua po më duket mirë se nuk po u humbet gjaku”, tha ajo.

Konjufca: Gjenocidi i Serbisë në Kosovë e ka pasur një qëllim ta shfaros popullin shqiptar

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Lëndina e pikëllimit”, në Meje të Gjakovës, me rastin e 27 Prillit – Ditës së të Zhdukurve të Kosovës.

Nga aty, Konjufca nuk dha shpresa se Serbia do të lejojë që në territorin e saj të bëhen hulumtime për të gjetur personat e zhdukur dhunshëm.

Ai tha se në këtë masakër, tregohet gjenocidi i Serbisë mbi Kosovën, duke pasur për qëllim ta shfaros popullin shqiptar pa dallim moshe e religjioni.

“Është masakra më e madhe që ka ndodhur në Kosovë, ku janë 377 qytetarë të Kosovës të vrarë duke mos i përjashtuar as gratë dhe fëmijët. Kjo tregon që gjenocidi i Serbisë në Kosovë e ka pasur një qëllim ta shfaros popullin shqiptar pa dallim moshe e religjioni, sepse këtu kanë masakruar myslimanë e krishterë së bashku. Ne gjithmonë do t’i nderojmë dhe kujtojmë dëshmorët dhe martirët sepse përderisa në njërën anë është pikëllimi sepse kemi humbur vëllezër e motra tona por është edhe ditë e krenarisë sepse pa sakrificën e popullit shqiptar nuk do të mund të vinte as liria as të ndërtohej shteti i Kosovës që e gëzojmë sot”, tha Konjufca.

Kurti: Territori i Serbisë ishte dhe ende është përplot me trupa të pajetë të njerëzve tanë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar masakrën e Mejës së Gjakovës në 23 vjetorin e saj, duke thënë se nuk do ta harrojnë kurrë atë që u bë nga forcat serbe.

Ai, me anë të një postim në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se dëshmia e tyre mund të ndalë krimin e kryer në trevat kosovare.

“Ne jemi të vetëdijshëm se dëshmia e saktë nga ana jonë e tmerreve të luftës, e krimeve kundër njerëzimit, e krimeve të luftës dhe krimit të gjenocidit, është paraqitja e një tjetër horizonti, më i shëndetshëm për shoqërinë njerëzore, për paqen pozitive. Në një mori ditësh të vitit ne përkujtojmë viktimat e masakrave”.

“Sot është dita e përkujtimit të masakrës së Mejës, në të cilën u vranë 376 civilë. Ata u rrethuan që të shfaroseshin, si shqiptarë që ishin në tokën e tyre ku jetonin. Duke e nxjerrë në dritë krimin ndaj popullit tonë, ne mund të shtyjmë ndërgjegjen ndërkombëtare të kërkojë pastrimin e ndërgjegjes dhe trupit të shteteve agresorë dhe gjenocidalë. Trupi i territorit të Serbisë ishte dhe ende është përplot me trupa të pajetë të njerëzve tanë, të rrëmbyer e të vrarë, të vrarë e të rrëmbyer. Shumë janë zbuluar e nxjerrë prej atje. Dhe kështu duhet të vijohet”.

“Sepse nuk kemi për detyrë vetëm qetësimin dhe ngushëllimin e familjeve, popullit e shtetit e kombit tonë, por edhe shërbimin ndaj shoqërisë njerëzore në tërësi. Dëshmia jonë mund ta ndalë sado pak krimin e mundshëm në treva të tjera të rruzullit tonë”, ka thënë Kurti.

Marketing