Qeveria e Kosovës i ka miratuar masat e reja anti-COVID.

Marketing

Kufizimi i lëvizjes do të jetë nga ora 22:00 deri në orën 05:00, për dallim që deri tash niste nga ora 00:00.

Me masat e reja, cilido person që hyn në Kosovë duhet të posedojë certifikatën e vaksinimit me tri doza, ose edhe me dy doza, por me një test PCR të 48 orëve të fundit. Nga kjo kërkesë lirohen ata që hyjnë transit, diplomatët e huaj, fëmijët nën 12-vjeç, e ata që kanë dëshmi mjekësore se janë të liruar nga vaksinimi. Përjashtim bëjnë edhe shtetasit e Kosovës që s’kanë dy doza të vaksinës, por ata duhet të karantinohen në shtëpi për shtatë ditë. Të gjithë punonjësve të institucioneve publike do t’u kërkohet certifikata me të paktën dy doza.

Procesi mësimor do të zhvillohet siç është bërë deri tash.

Pensionistët vazhdojnë të jenë të liruar nga paraqitja e rregullt.

Mbledhjet në ambiente të mbyllura lejohen me maksimum 30 persona.

Ndalohet veprimtaria e klubeve të natës dhe organizimi i festivaleve, koncerteve, apo dasmave e fejesave. Ndalohet edhe mbajtja e pritjes për ngushëllim.

Gastronomisë i lejohet puna deri në orën 21:00. Muzika në lokalet e gastronomisë lejohet deri në orën 20:30.

Operatorët e transportit publik lejohen të punojnë duke shfrytëzuar 50 për qind të kapacitetit të ulëseve.

Vendimi hyn në fuqi nga 22 janari. Ai do të vlejë deri më 4 shkurt.

Në arsyetim, Qeveria ka përmendur situatën e fundit epidemiologjike, pas shtimit të rasteve me COVID-19. Edhe pse sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike situata konsiderohet stabile, rreziku mbetet sepse varianti Omicron është dominues.

Ditëve të fundit ka pasur ngritje enorme të shifrave ditore me COVID-19. Vetëm të premten janë regjistruar 2943 raste të reja, duke e çuar në 12 mijë e 396 numrin e rasteve aktive. /albora.ch/

Marketing