Ligji për paga, i miratuar të mërkurën në Qeverinë e Kosovës, do të hyjë në fuqi vetëm një muaj pas publikimit në gazetën zyrtare, po që se Kuvendi e miraton së shpejti, dhe jo tetë muaj siç ishte në draftligj, ka konfirmuar zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra.

Marketing

Qeveria të mërkurën e dërgoi në Kuvend për miratim projektligjin për paga. Dobra është shprehur i bindur se Kuvendi do ta miratojë shpejt këtë ligj. Po që se miratohet, ai shkon për dekretim te presidentja e më pas del në gazetën zyrtare. Pas daljes në gazetën zyrtare, sipas Dobrës, pas një muaji ligji hyn në fuqi.

“Kemi mbajtur takime të shpeshta brenda institucioneve, qoftë me Ministrinë e Financave e të tjera. Jemi takuar mbi 100 herë. Jam takuar edhe me sindikatat e ndryshme. Kemi marrë parasysh një numër të madh të komenteve t tyre. ato që ishin të vlefshme i kemi akomoduar në projektligjin dhe si përfundim në diskutime edhe me MF-në, Thesarin, kemi arritur në përfundim që duhet ta shkurtojmë hyrjen në fuqi të projektligjit. Nuk do të jetë 8 muaj, por do të flasim për një muaj”, ka thënë ai në Interaktiv të enjten.

Sipas Dobrës, ky projektligj sjell drejtësi në paga në sektorin publik. Ai ka thënë se vlera e koeficientit do të caktohet me ligj për buxhetin, që ka paralajmëruar se do të shkojë në Kuvend për lexim të dytë njëkohësisht me atë të pagave.

Dobra ka thënë se posti i presidentit do ta ketë pagën më të lartë në vend, me koeficientin 18. Sipas tij, paga më e ulët do të jetë koeficienti 3.78, që është 4.78 herë më pak se paga më e lartë. Ka shtuar se presidenti do ta ketë pagën 3.66 herë më të lartë se paga më e ulët në arsim, apo 3.2 herë më lartë se paga e ushtarit të thjeshtë.

“Po krijojmë sistem, piramidë sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës. Po flasim për caktime të sektorëve në piramidën e pagave”, ka thënë ai.

Koeficientët sipas draftligjit, në shtator:

Dobra: S’do të ketë largime në mënyrë arbitrare, synojmë ta depolitizojmë Administratën Publike

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, derisa ka folur për projektligjin për shërbyesit civilë, ka thënë se do të synojnë ta depolitizojnë Administratën Publike.

Dobra në emisionin Interaktiv në KTV, të enjten ka thënë se nuk do të ketë largime të njerëzve nga puna në mënyrë arbitrare, por se do të bëhet matja e performancës së gjithsecilit.

“Çdo vit thuhet se ka ndërhyrje politike me emërime, vitin e fundit nuk ka ndërhyrje. Kjo po reflektohet edhe në raportin e progresit. Ky shqetësim po e prek edhe opozitën e cila për kohë të gjatë e ka përdorur administratën publike për të punësuar militantët, familjarët apo miqtë e tyre. Nuk kemi ardhur në pushtet për të larguar nga puna njerëz në mënyrë arbitrare, janë procedura të ndryshme, do të bëhet matja e performancës të gjithsecilit, do të stimulohen nëpunësit civil që ta rrisin performancën, do ta rishikojmë trajnimin që ofrohet për ta”, ka thënë ai.

Sipas Dobrës, pushteti i tanishëm është i fokusuar në meritokraci, ku përmes trajnimeve të kualitetit të mirë, do të tentojnë ta rrisin kualitetin brenda administratës.

“Ne jemi të fokusuar në meritokraci, që përmes trajnimeve të kualitetit të mirë ta ngremë kualitetin brenda administratës. Nuk do të ketë ndërhyrje politike aspak, qëllimi është që ta departizojmë administratën që të mos ketë ndërhyrje politike në të por profesionalizim”, ka thënë ai.

Marketing