Në 40- vjetorin e vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, kryeministri Albin Kurti, organizoi Akademi Përkujtimore në nderim të tre veprimtarëve të shquar të çështjes kombëtare.

Marketing

Si legalë ashtu edhe ilegalë, si në Kosovë ashtu edhe në mërgatë, Jusufi, Kadriu e Bardhoshi, nuk e ndalën veprimtarinë kombëtare e shoqërore për bashkim organizatash, për çlirim vendi, për liri populli, për drejtësi e mirëqenie e përparim të të gjithëve, tha kryeministri Kurti në fjalën e tij.

Kudo dhe çdoherë kritikuan e kundërshtuan diskriminimin e shfrytëzimin, mobilizuan qytetarët dhe bashkatdhetarët, për përpjekje të përbashkëta për punë e angazhim e organizim për liri, shtoi ai.

Duke folur për veprimtarinë e tyre, kryeministri theksoi se Jusufi, Kadriu e Bardhoshi i aktivizonin dhe i bashkonin punëtorët, studentët, artistët, burrat e gratë, të rinjtë e të moshuarit, sepse ata besonin në popull, besonin në popullin e tyre nga i cili vinin për të mos u shkëputur kurrë prej tij.

“Liria e Kosovës ka qenë ëndrra e përjetshme dhe puna e përditshme e tyre. E përditshmja e përjetshme që e thur historinë”, tha Kurti.

Në këtë akademi, të organizuar në Sallën e kuqe, të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, foli edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu si dhe familjarët e tre veprimtarëve.

Ndërsa kantautori Shpat Deda, dhe kuarteti i harqeve të udhëhequr dhe aranzhuar nga Visar Kuçi, interpretuan këngët e Jusuf Gërvallës: “Kënga e Bilbilit” dhe “Do të kthehem nënë”./albora.ch/

Marketing