Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë një konference për media së bashku me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli pas propozimit të Zyrës së Rregullatorit të Kosovës për shtrenjtimin e energjisë elektrike ka thënë se largimi i bllok tarifave nga qeveritë e kaluara ka qenë gabim i madh.
“ZRRE pavarësisht se ka për detyrë reflektimin e çmimit të vërtet të energjisë me vite janë mbajtur kosto fiktive për qëllime elektorale për më tepër janë larguar masa që ndikojnë në konsum më të kujdesshëm të energjisë siç janë bllok tarifat, pra heqja e tyre ka qenë gabim shumë i madh”, ka thënë Kurti.
I pari i ekzekutivit duke tentuar për të hequr përgjegjësinë e tij për krizën energjetike, ka thënë se po vërehet vjetërsia e pajisjeve dhe mungesa e investimeve në njësitë gjeneruese.
“Institucionet kanë dështuar në të kaluarën që të japin sinjalin te qytetarët se varësia për tu ngrohur nga energjia elektrike nuk është e qëndrueshme si praktikë”, ka shtuar ai
“Ne vend që të investohet në zgjerimin e rrjetit të ngrohjes qendrore. Çfarë kanë bërë, se e kanë aprovuar ndërtimin e mijëra banesave, ndërtesave, e vendbanimeve që tani varen nga energjia elektrike”.
Për Kurtin indikacionet e tregut të energjisë elektrike janë se kriza do të zgjasë përtej dimrit “me të cilën ne si Qeveri jemi duke u përballur”, ka thënë ai.
Sipas Kurti deri tash janë dëgjuar interpretime të ndryshëm në lidhje me propozimin e ZRRE-së të cilat nuk kishin për qëllim interpretimin e drejtë të situatës tek qytetarët.
“ZRRE përkitazi me përgjegjësitë dhe kompetencat kanë filluar me shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave. ZRRE është e pavarur dhe nuk mund të ndikohen nga institucionet as nga qeveria. Fatura që po paguajmë është ajo e mos veprimit në dy dekada në këtë fushë”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se si pasojë e krizës globale energjetike, edhe ZRRE ka shqyrtuar mundësinë e rritjes së çmimit të energjisë pasi që ajo importohet.
Kryeqeveritari gjatë konferencës ka treguar tre mënyra se si mund të bëhet financimi i energjisë së importuar, pra përmes rritjes së tarifave, rritjes së subvencionimit apo reduktimet e ashpra.
“Ne e pamë se sa të dëmshme janë reduktimet e energjisë edhe për amvisëri edhe për biznese. Sepse në njërën anë e kemi të amortizuar rrjetin e distribucionit dhe shumë lehtë shkaktohen dëme në rastin e kyçjeve dhe shkyçjeve”, ka shtuar ai.
“Ose duhet të bëjmë reduktime të rrymës ose duhet të rrisim tarifat”.
Rizvanolli: Propozimi i ZRRE-së nuk është final, do të shqyrtohet
Ndërkohë, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se subvencionimi prej 75 milionë eurove ishte zgjidhja më e mirë që mund të bëhej për qytetarët në këto momente.
Sipas Rizvanollit, subvencionimi do të zbusë dukshëm rritjen e tarifave të kërkuara nga ZRRE-ja.
Ministrja bëri të ditur se rritja tarifës së lartë 0.21, me subvencionim do të bëhet 0.14, ndërsa tarifa e ultë nga 0.09 në 0.06.
Sipas saj ZRRE ka marrë një vendim nën presion politik në vitin 2021, duke hequr bllok tarifën, vendimi i ZRRE nuk është final, por është në diskutim publik.
“Ne mund t’iu kërkojmë ndryshime. Kostot e importit dhe sektorit janë rritur shumë. Subvencionimi është i nevojshëm në këto rrethana”, ka thënë Rizvanolli. /albora.ch/