Hulumtues e profesorë shqiptarë në universitetet dhe të punësuar në kompani evropiane në fushën e energjisë janë shprehur të gatshëm të ndihmojnë Kosovën gjatë krizës energjetike.
Disa nga ta të premten kanë mbajtur një takim virtual me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Alban Kuriqi nga Universiteti i Lisbonës në Portugali, me ekspertizë në energjinë e ripërtërishme; Fitim Kryeziu nga “Energinet”, operatori kombëtar në Danimarkë për transmetimin e energjisë elektrike dhe gazit natyror; Erald Pjetri nga Qendra Kërkimore ABB në Poloni; Kristian Sevdari, kandidat për doktoraturë në Universitetin Teknik të Danimarkës dhe Adhurim Haxhi Musa nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara të Grizons në Zvicër, ishin ata që diskutuan për krizën që ka përfshirë Kosovën.
“Fushat e ekspertizës së tyre përbëjnë fusha të ndryshme përbrenda sektorit të energjisë. Nga ajo mbi politikat e energjisë, zhvillimin e qëndrueshëm, alternativat për maksimizimin e sistemit të energjisë, integrimin dhe menaxhimin e saj e deri te fusha mbi modelimin e sistemeve të përshtatshme”.
Ky bashkëbisedim ka ardhur si rrjedhojë e gjendjes së vështirë energjetike në vend. Përgjatë tij u diskutua për situatën aktuale të energjisë dhe për Strategjinë për Energji 2022-2030 që do të shërbejë si udhërrëfyes për zgjidhje afatgjate dhe të qëndrueshme të energjisë. Kryeministri Kurti dhe ministrja Rizvanolli i falënderuan për shprehjen e gatishmërisë që të ndihmojnë dhe kontribuojnë me ekspertizën e tyre të vlefshme në tejkalimin e sfidave dhe drejt vizionit të vendit për fushën e energjisë”, thuhet në njoftim të Qeverisë.
Këtë muaj pritet të merret vendimi për shtrenjtim të energjisë. Kjo ka nxitur reagime, ndërsa janë paralajmëruar edhe protesta. Qeveria ka ndarë rreth 75 milionë euro për subvencionim, në masë më të madhe për qytetarët që shpenzojnë më pak se 600kW në muaj. /albora.ch/