Disa afganëve të evakuuar në Kosovë, u rrezikohet që t’iu ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), për shkak të lidhjeve të dyshuara me talebanët dhe grupet e tjera terroriste, kanë thënë zyrtarët amerikanë, përcjellë Wall Street Journal.

Marketing

Sipas deklarimeve të zyrtarëve amerikanë, kjo nënkupton që personat e dyshuar mund të mbesin pa vend që i strehon.

Më pak se 10 afganë janë shpallur të papërshtatshëm për të hyrë në SHBA, pasi zyrtarët për siguri kanë gjetur informacion s‘kualifikues për ata gjatë procesit të verifikimit, ka thënë një zyrtar i afërt me këto zhvillime, raporton e përditshmja amerikane, Wall Street Journal.

Rreth 90 individë vazhdojnë të verifikohen në Kampin Bondsteel, sipas zyrtarëve amerikanë.

Pak shtete kanë pranuar që të marrin individë afganë, të cilëve u ndalohet hyrja në SHBA. Mirëpo, kthimi i tyre në Afganistan – ku mund të rrezikohen – mund të përbëjë shkelje të ligjit ndërkombëtar, raporton REL.

Mijëra persona kanë arritur të largohen përmes aeroportit të Kabulit në gusht të vitit të kaluar – kryesisht pa kaluar procedurat e verifikimit – derisa më shumë se 60 mijë ish-përkthyes dhe aplikues tjerë të vizës kanë mbetur në Afganistan, pa pasur mundësi ta lëshojnë vendin.

Ndërsa shumica e më shumë se 100 mijë afganëve që janë larguar nga Afganistani – pas përfundimit të misionit amerikan dhe marrjes së pushtetit nga talebanët – janë dërguar nëpër baza të ndryshime amerikane në botë për të kaluar nëpër filtrat e verifikimit fillestar për siguri.

Rreth 200 prej tyre, disa prej të cilëve janë familjarë të individëve që u janë nënshtruar procedurave të rrepta të verifikimit, janë dërguar në Kampin e ushtrisë amerikane Bondsteel, për procedura tjera, pasi janë rritur shqetësimet për të kaluarën e tyre.

Disa prej zyrtarëve që po mbahen aty, sipas WSJ-së janë persona që kanë pasur pozita të larta në Qeverinë e kaluar afgane e cila ishte pro-Perendimore.

Inteligjenca amerikane, zyrtarë për kundër-zbulim dhe personeli i mbrojtjes në SHBA janë duke kryer verifikimin e këtyre personave, për të kuptuar nëse ata mund të vazhdojnë rrugëtimin për SHBA, ashtu siç ka ndodhur me disa qindra afganë të tjerë.

Individët që po mbahen tani në Bondsteel janë teknikisht të lirë që të largohen apo të heqin dorë nga procesi i aplikimit për të hyrë në SHBA, mirëpo duhet të gjejnë ndonjë vend tjetër që i pranon, kanë thënë zyrtarët amerikanë, rrjedhimisht kjo është thuajse e pamundur, por se të paktën një individ ka vepruar kështu me sukses, përcjellë WSJ.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se në Bondsteel nuk ka terroristë të mirënjohur, mirëpo nuk janë dhënë më shumë hollësi se kush po mbahet aty.

Në mesin e tyre është një ish-komandat taleban, i cili është burgosur në një burg të mbikëqyrur nga amerikanët në Bagram për dy vjet.

Komandanti, të cilit nuk i është publikuar emri për arsye të sigurisë, më vonë ka ndërruar anë dhe është bërë zëdhënës për Këshillin e Sigurisë Kombëtare në Qeverinë e Afganistanit më 2020.

Ky fakt e ka bërë atë shënjestër kyçe për talebanët.

“Të gjithë njerëzit e dinë kush jam”, ka thënë ai.

“Talebanët do të më vrasin dhe më pas do të mohojnë se kanë njohuri për vrasjen”.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme në Kosovë, në kampin Bondsteel aktualisht janë gjithsej 758 afganë.

Ata mund të qëndrojnë më së shumti një vit në Kosovë, sipas marrëveshjes mes SHBA-të.

Fillimisht në Kosovë kanë arritur 1 mijë e 286 persona nga Afganistani, mirëpo ndërkohë, 528 prej tyre janë larguar për në SHBA dhe vende të tjera aleate.

Për dallim nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ku shtetasit afganë janë të lirë të lëvizin jashtë hapësirave ku ata janë të vendosur, për afganët që strehohen në Kosovë ka masa më të rrepta të sigurisë.

Që nga dita e arritjes në territorin e Kosovës, afganët vazhdojnë të jenë të mbyllur në dy kampe, kampin ushtarak amerikan Bondsteel dhe një kamp tjetër afër tij i njohur si kampi ndërtimor, Bechtel-Enka.

Që të dy këto kampe janë në afërsi të qytetit të Ferizajt dhe distanca mes tyre është më pak se dy kilometra.

Ndërsa, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në prag të festave të fund vitit në dhjetor 2021, kishte vizituar  refugjatet afgan të cilët po qëndrojnë në Kosovë. /albora.ch/

Marketing