Ashtu siç duhet thënë faleminderit Vladimir Putinit që i dha jetë NATO-s, i lumtë edhe Sergei Lavrovit që i dha puthjen e vdekjes Ballkanit të hapur.

Marketing

Kështu ka komentuar dje në Twitter deklaratën e kreut të diplomacisë ruse Sergei Lavrov, diplomati amerikan, njohës i situatës në Ballkan e më gjerë dhe profesor i shquar në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, Edward Joseph. Rusia mbështet Ballkanin e Hapur, tha Lavrov, dhe se i vjen keq që nuk do të jetë në gjendje t’ia përcjellë personalisht mbështetjen e saj Beogradit.`

Siç tha Lavrov, “është e qartë se liderët e Brukselit nuk donin që ne të konfirmonim qëndrimin e Rusisë për Kosovën dhe BeH-në, të shprehim mbështetjen për nismën e Beogradit për Ballkanin e Hapur dhe të diskutojmë interesat për përmirësimin e marrëdhënieve midis vendeve të rajonit”.

Sipas Josephit, kjo ide, e cila buron nga administrata e Trumpit, avancon agjendën e partnerit strategjik të Rusisë në rajon, Serbisë, nën udhëheqjen e Aleksandar Vuçiqit.

Media kryesore ruse në Serbi – Sputnik Serbia, vëren një profesor në Universitetin Johns Hopkins, mbështet vazhdimisht Ballkanin e hapur.

“Dhe pse jo? Ballkani i Hapur është thirrje e hapur për Vuçiqin që të përdorë madhështinë ekonomike të Serbisë për avantazhe politike – pa kufizime politike apo vlera të BE-së”. Ai shton se Baallkani i hapur është “Bota Serbe” në treg për fqinjët më të vegjël të Serbisë.

Duke besuar se Vuçiç dëshiron që vendi i tij të anëtarësohet në BE, zyrtarët amerikanë, shpjegon Joseph, pranuan idenë se “tregtia është e barabartë me besimin.” Ajo që ka rëndësi është në fakt karakteri i regjimit me të cilin po tregtoni.

“Pyesni Ukrainën – deri më 24 shkurt, Rusia ishte partneri kryesor tregtar i Kievit për eksporte dhe importe. Pyesni Japoninë, Korenë e Jugut ose Tajvanin nëse tregtia ka krijuar besim me Kinën. E njëjta histori në Ballkan. Serbia është partneri i parë tregtar i Malit të Zi në importe dhe eksporte – dhe Beogradi renditet i fundit për sa i përket besimit. Miratimi i fundit i Ballkanit të hapur nga kryeministri malazez Dritan Abazoviq ka përkeqësuar ndarjet në vend,” thotë ai.

Çdo politikë në Ballkan që përballet me një kërcënim të drejtpërdrejtë nga Serbia është skeptike, nëse jo e dyshimtë për Ballkanin e Hapur, thotë Joseph.

“Siç vuri në dukje Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në diagnozën e saj – problemet kryesore ekonomike të Bosnjë-Hercegovinës janë të natyrës politike. Ashtu siç Putin inkurajoi NATO-n, ne shpresojmë që Lavrov do të inkurajojë alternativat ndaj Ballkanit të hapur që ndërtojnë një treg të përbashkët rajonal mbi vlerat e përbashkëta të BE-së”, përfundoi Joseph.

Foto: edwardpjoseph.com

Marketing