Serbët sikur besojnë se në Kosovë nuk ka ngjarë asgjë, se atje është gjendja sikur para 30 apo para 50 vjetëve; nuk është ashtu…

Marketing

Historiania e njohur serbe, Llatinka Peroviq, në një intervistë më të gjatë dhënë portalit Karakter.rs, ka folur për situatën aktuale në Serbi dhe problemet që e ngarkojnë atë situatë.
Ajo ka thënë se Serbia përfundimisht duhet të përcaktohet për territorin e vet. Ajo (Serbia, v.j.) nuk mund të pretendojë që ta ndajë Bosnjën. Nuk mund të pretendojë të dominojë mbi Malin e Zi. Nuk mund të pretendojë të rregullojë jetën e serbëve në Kroaci.
Më së fundi, nuk mund të pranojë konfliktin e ngrirë me Kosovën. Kosovën e ka si guri në qafë. Për shkak të Kosovës, Serbia nuk mund të lëvizë nga vendi. Serbët sikur besojnë se në Kosovë nuk ka ngjarë asgjë, se atje është gjendja sikur para 30 apo para 50 vjetëve. Nuk është ashtu. Ka ndryshuar shumëçka.

Derisa lëvizja, kam shkuar në Kosovë. Kam shkuar në enklava serbe, kam biseduar (edhe) me shqiptarë. Nëse bisedon me Serbët, të cilët nuk janë të përfshirë në politikën e përzier të cilët e mbështesin Beogradin, ata do t’ju thonë: “Po ne këtu jetojmë, jemi të interesuar që fëmijët tanë të shkollohen, të punësohen, të shërohen… Na duhet të inegrohemi në shoqërinë kosovare”.

Sa na është dashur që me kohë të pranojmë nevojën e integrimit të korpusit nacional serb në institucionet bashkë me shqiptarët?

Sot vetëm po thellohen dallimet. Sipas hulumtimeve të disa organizatave joqeveritare, shihet situata se në të vërtetë, midis Serbëve e Shqiptarëve nuk ka komunikim. Ata nuk e dijnë gjuhën e njër-tjetrit.

Në të njëjtën kohë, në korpusin shqiptar kanë ndodhur ndryshime të mëdha. Ta përmendim pozitën e grave në Kosovë. Është bërë revolucion i tërë, aq shumë gra janë arsimuar, kanë hyrë në jetën politike, kurse ju atë e shihni si një mjedis shumë të mbyllur, me të cilin nuk mund të arrihet marrëveshje. Gabim i madh.

Në pyetjen se çfarë do bënit ju me Kosovën, Peroviq është përgjigjur:

Prejse kam formuar mendimin politik, konsideroj se Serbia duhet të koncentrohet në vetvete, në zhvillimin e vet ekonomik, në arsim, në ngritjen e kulturës shëndetësore, në hapjen ndaj botës. Është qenësore që Serbia të krijojë marrëdhënie normale me fqinjtë, dhe në këtë kuadër edhe me Kosovën. Prandaj, janë me rëndësi të drejtat e njeriut.
Nuk mund ta strukni secilin Serb në kufijt e shtetit. Pretendimet e përhershme për të zaptuar territore në të cilat jeton një numër i ithtarëve tuaj, nuk shpie gjëkundi. Ky është një kuptim ultrakonzervativ mbi kombin. Ky identifikim i kombit me shtetin, të cilin e përfaqësonte edhe Dobrica Qosiqi, e ka shpënë Serbinë në luftra të pandërprera. Dhe çka keni ju në Serbi si konstantë të historisë: keni luftra të përhershme dhe ndryshime të përhershme të kushtetutës. Luftërat zhvillohen për të pushtuar territore, ndërsa kushtetutat ndryshohen, jo për të të zbatuar sundimin e së drejtës apo sundimin e ligjit, para të cilit secili qytetar është i barabart, veçse për ta përforcuar një garniturë në pushtet!

Foto: Autonomija.info

Marketing