Futbollisti i kombëtares së Kosovës, Mërgim Vojvoda, është duke u vëzhguar nga drejtuesit e klubit të Romës.

Marketing

Vojvoda i cili aktualisht është pjesë e skuadrës së Torinos, është duke u kërkuar të transferohet në kryeqytetin italian, në afatin kalimtar të janarit.

Sipas asaj që shkruan gazeta italiane “Corriere dello Sport”, mbrojtësi kosovar është i preferuar nga trajneri i verdhekuqve, Jose Mourinho.

Por, mbetet për t’u parë nëse klubi i Torinos do të lejojë Vojvodën të largohet në mes të sezonit, apo do të presë që të përfundojë kampionati në Serie A.

Kujtojmë që Roma është duke qëndruar aktive në këtë afat kalimtar, të cilët gjithashtu transferuan futbollistin e Arsenal-it, Maitland-Niles.

Pra, verdhekuqtë kërkojnë që të vijojnë një sezon të mirë në Serie A, të cilët nuk patën paraqitje pozitive gjatë gjysmësezonit të parë.

Roma aktualisht pozicionohet në vendin e gjashtë në tabelë me 32 pikë, gjashtë më pak se zona Champions dhe 14 më pak se Inter-i kryesues.

Ekipi nga kryeqyteti italian do të rinisë sezonin të enjten, ku në ndeshjen e parë do të ballafaqohen me skuadrën e Milan-it.

Ndërkaq, sa i përket Vojvodës, ai është pjesë e skuadrës së Torinos që nga shtatori i vitit 2020, kur u transferua nga skuadra belge, Standard Liege, për shumën e 5.2 milionë eurove.

Deri më tani, mbrojtësi kosovar ka realizuar 41 paraqitje në të gjitha garat me klubin italian, prej të cilave ka shënuar dy gola dhe ka dhuruar dy asistime. /albora.ch/

Marketing