Pas akuzës së ish-ambasadorit të Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, ndaj presidentes Vjosa Osmani, se e ka larguar padrejtësisht nga misioni diplomatik, duke thënë se përveç ligjit vepron edhe Kanuni i Lekë Dukagjinit, shefja e shtetit e ka denoncuar atë në polici.

Marketing

Këshilltari për medie i presidentes, Bekim Kupina, ka shkruar në Facebook se Dedaj është denoncuar për kërcënim publik që i ka bërë presidentes gjatë një interviste televizive.

“Siç kemi paralajmëruar z.Gjergj Dedaj është denoncuar te organet e rendit për kërcënim publik kundër jetës dhe sigurisë ndaj Presidentes Osmani dhe familjes së saj”, ka thënë Kupina.

Në intervistën e dhënë të hënën, ish-ambasadori Dedaj paralajmëroi presidenten për pasoja pas vendimit që kishte marrë ajo me kërkesë së Ministrisë së Punëve të Jashtme.

“Te unë dhe familja ime dhe te malësia e Gjakovës përveç ligjit vepron edhe Kanuni i Lekë Dukagjinit, nëse më shkel dikush, më vret dikush ka mu vra edhe ai, edhe ai ka me pas pasoja, nuk do të thotë që e mbyt një njeri edhe sa problem i ki lidhjet në shtet edhe shkon në shpi”, tha ai.

Gjergj Dedaj ka mbajtur pozitën e ambasadorit të Kosovës në Shkup deri në maj të vitit 2021, kur është liruar bashkë me 11 ambasadorë të tjerë politikë. /albora.ch/

Marketing