Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në komunën e Malishevës pasi të njëjtit nuk kishin përfillur urdhrin e zyrtarëve policorë që të ndalin veturën.

Marketing

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Nysret Gjurkaj ka thënë se të njëjtit kanë fyer zyrtarë policorë dhe kanë shfaqur rezistencë gjatë arrestimit.

Sipas Gjurkaj, arsyeja e mos-ndaljes në pikë kontrolli ka qenë sepse ata nuk posedonin patent shofer.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar dhe me vendim të tij dy të dyshuarit janë ndalur në mbajtje për 48 orë.

“Të hënën rreth orës 14:00, derisa patrulla e policisë ishte në pikë kontrolli të automjeteve në Rrugën ‘Adem Jashari’ në Malishevë, aty kishin kaluar dy persona me veturën e tyre tip Mercedes. Nga ana e zyrtarëve policorë i ishte dhënë shenjë që kjo veturë të ndalet ,por përkundër shenjës së dhënë i dyshuari nuk kishte përfillur urdhëratë e ligjshëm të zyrtarit policor dhe kishte filluar të rris shpejtësinë dhe ishte larguar nga aty”, ka thënë Gjurkaj për albora.ch.

“Gjatë arrestimit të dyshuarit në vazhdimësi i kishin fyer zyrtarët policor me fjalë fyese si dhe i kishin kërcënuar me fjalët ‘keni me pa ju se kush jemi ne, për këtë pune keni me pas pune privatisht me neve’”, ka shtuar ai. /albora.ch/

Marketing