“Nëse vërtet duhet t’i zvogëlojnë marrëdhëniet e mira me Rusinë, Serbia ka një partner tjetër autoritar, antiperëndimor, i cili ka një vend në Këshillin e Sigurimit dhe mund të pengojë njohjen e Kosovës. Ka alternativa jashtë Rusisë, gjë që nuk do të thotë se Serbia do t’i kthehet politikës evropiane. Pres qe t’i mbajë të të gjitha opsionet të hapura, për fat të keq”, thotë Florian Bieber

Marketing

Eksperti për Ballkanin, Florian Bieber, ka thënë se rezultatit të mirë të partive të djathta në zgjedhjet në Serbi u ka kontribuuar edhe Partia Progresist e Serbisë në pushtetdhe se liderit të saj Aleksandar Vuçiq kjo i përshtatet, sepse ai mund të paraqitet më lehtë para partnerëve perëndimorë si një opsion më i moderuar.
Bieber, profesor në Universitetin e Grazit, i tha Zërit të Amerikës se partitë e krahut të djathtë përfituan nga lufta në Ukrainë, duke e bazuar fushatën në një platformë pro-ruse, por se SNS-ja luajti një “rol të rëndësishëm” në suksesin e tyre.

“Ka dy dimensione, njëri është sigurisht lufta në Ukrainë dhe e gjithë çështja e konfrontimit mes Perëndimit dhe Rusisë dhe më pas aty u aktivizuan partitë e djathta ekstreme dhe ato antiperëndimore. Këtë rol të rëndësishëm e ka edhe SNS-ja, e cila nuk zgjodhi mesazh pro-eng në fushatë, por se do të ruajë paqen dhe stabilitetin dhe se dëshiron të vazhdojë marrëdhëniet e mira me Rusinë dhe BE-në, por nuk e ka mbështetur hapur politikën ruse”, tha Bieber.

Ai deklaroi se “ajo hapësirë ​​është shfrytëzuar nga partitë e ekstremit të djathtë” sepse disponimi politik prorus në Serbi ka ekzistuar edhe para luftës në Ukrainë. Ai shtoi se “kjo është diçka që partia në pushtet e ka ushqyer përmes mediave të saj për vite me radhë” dhe se suksesi i së djathtës është “rezultat thelbësor i një atmosfere të prodhuar nga partia në pushtet”.

Bieber vlerëson se shpërndarja e re e forcave në të djathtë i përshtatet kryetarit aktual të Serbisë, ndonëse ai u ankua në natën e zgjedhjeve se Serbia ka “lëvizur në mënyrë dramatike në të djathtë”.

“Ajo që dëgjuam nga Vuçiqi në natën e zgjedhjeve, se e djathta është forcuar, është justifikimi i tij ndaj partnerëve perëndimorë sepse ai nuk do t’ë vë sanksione Rusisë. Kjo ia bën disa gjëra më të lehta për të, sepse paraqitet si një opsion më i moderuar, opsion i cili është në mes, dhe nëse Perëndimi nuk e mbështet atë, forca edhe më radikale do të vijnë në pushtet”, tha Bieber.

Ai tha gjithashtu se pyetja është se sa mirëkuptim do të ketë Perëndimi për mosvendosjen e sanksioneve nga Vuçiqi ndaj Rusisë, pasi zgjedhjet kanë kaluar.

“Deri më tani nuk kemi marrë një mesazh të qartë nga BE-ja për të insistuar që Serbia të vendosë sanksione ndaj Rusisë. Për shembull, kancelari austriak ishte në Serbi dy javë më parë dhe shprehu mirëkuptim për qëndrimin serb dhe nuk e kritikoi hapur atë qëndrim.”

“Pas zgjedhjeve ai presion do të jetë pak më i fortë, çështja është se deri në çfarë mase BE-ja është e bashkuar në atë pozicion”, tha ai.

Bieber theksoi se pyetja kryesore është se sa do të zgjasë lufta në Ukrainë dhe nëse BE-ja do të insistojë në sanksione më të ashpra dhe për t’u bashkuar me partnerët nga Ballkani Perëndimor me ato masa ndëshkuese.

“Nëse kjo nuk ndodh, atëherë Vuçiq mund të vazhdojë me atë politikë. Por unë mendoj se presioni do të rritet dhe BE-ja tani mund të thotë – ne kemi dhënë kohë, kemi treguar mirëkuptim sepse është e vështirë të këmbëngulim për sanksione në zgjedhje dhe tash është koha të vazhdojmë mëtutje”, ka shtuar Bieber.

Bieber është shprehur se qeveria e Serbisë “nuk ka përkushtim esencial, por vetëm formalisht do të bëjnë diçka për integrimet evropiane”.

I pyetur nëse Serbia është më afër Rusisë apo BE-së me qeverinë e ardhshme, Bieber deklaron se është “më afër vetes”.

“Qeveria do të vazhdojë të përpiqet të forcojë dominimin e SNS-së dhe Aleksandar Vuçiqit, por se a do të jetë ajo nëse është rrugë proruse, prokineze apo pro-evropiane, atyre nuk u intereson. Ata po përpiqen të mbajnë të gjitha mundësitë të hapura, por ata gjithmonë kanë një ‘Rusi tjetër’, dhe ajo është Kina”, tha eksperti i Ballkanit.
Bieber shtoi se Kina mund të luajë një rol të ngjashëm si Rusia nëse Serbia duhet të reduktojë marrëdhëniet e mira me Moskën.

“Nëse vërtet duhet t’i zvogëlojnë marrëdhëniet e mira me Rusinë, ka një partner tjetër autoritar, antiperëndimor, i cili ka një vend në Këshillin e Sigurimit dhe mund të pengojë njohjen e Kosovës. Ka alternativa jashtë Rusisë, gjë që nuk do të thotë se Serbia do t’i kthehet politikës evropiane. Pres qe t’i mbajë të të gjitha opsionet të hapura, për fat të keq”, tha Bieber.

Marketing