Sonte në orën 20:00 është mbajtur protestë para Qeverisë së Malit të Zi kundër njoftimit të kryeministrit Dritan Abazoviq se Qeveria të enjten do të deklarohet për tekstin e kontratës themelore me Kishën e Serbisë.

Marketing

Në protestë para turmës iu drejtuan Aleksandar Sasha Zekoviq, Husein Gjokaj, Ammar Borançiq, Svetlana Pajoviq, Alek Baroviq, Sërgja Pavloviq, Jelena Shushanj dhe Millosh Gjuriçkoviq, ndërsa një tubim i ri është caktuar të enjten në orën 20:00 në të njëjtin vend.

“Ky është tubimi ynë i tretë në shenjë proteste për shkak të synimit të Qeverisë së Malit të Zi për të nënshkruar kontratë me një bashkësi fetare që dëmton rëndë të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen tonë. Mesazhi ynë është i qartë, ky i ashtuquajtur tekst i kontratës themelore është i dëmshëm për të gjithë qytetarët e Malit të Zi. Sonte nga Podgorica po dërgojmë mesazh dashurie dhe respekti për të gjithë qytetarët, andaj le të valvitim të gjithë flamujt tanë dhe të përshëndesim e shpalosim himnin e mëmëdheut tonë të shtrenjtë”, tha Zekoviq, transmeton Gradski.me.

Nëse dikush në Ballkan e di se çfarë do të thotë lufta për liri, atëherë, thotë ai, e dinë miqtë tanë, vëllezërit tanë shqiptarë.

“Si një komb që mbijetoi dhe mposhti aparteidin, ne u bëjmë thirrje atyre për ndihmë. Të gjithë, duke përfshirë edhe vëllezërit tanë shqiptarë, duhen për mbrojtjen dhe fitoren e Malit të Zi civil, laik dhe demokratik”, tha Zekoviq.

Foto: Gradski.me

Marketing