Forcat e para amerikane pritet të arrijnë sot në Poloni, i thanë burimet agjencisë “Reuters”.
Këta ushtarë po dërgohen për ta përforcuar pjesën lindore të NATO-s në kohën e tensioneve me Rusinë për praninën e ushtarëve rusë afër Ukrainës.
Burimet, të cilat kërkuan që të mbeten anonime për shkak të natyrës së ndjeshme të arritjes së trupave, thanë se planet mund të ndryshojnë varësisht nga siguria dhe logjistika, shkruan Reuters, përcjell albora.ch.
Të mërkurën, administrata e Presidentit Biden njoftoi për dërgimin e rreth 3.000 trupave amerikane në Evropën Lindore në ditët e ardhshme. Ministri i Mbrojtjes i Polonisë dhe Pentagoni thanë se rreth 1.700 ushtarë nga Divizioni i 82-të nga Karolina Veriore pritet të shkojnë në Poloni, ku do të qëndrojnë përkohësisht.
Një grup ushtarësh të Forcave Ajrore, që më parë ishin të vendosura në bazën ajrore “Ramstein” në Gjermani, arritën të enjten për t’u përgatitur për arritjen e trupave dhe pajisjeve ushtarake.
Më shumë aeroplanë me pajisje aterruan të premten në aeroportin “Rzeszoë-Jasionka” në jug të Polonisë.
Ushtria amerikane tashmë ka rreth 4.500 trupa në Poloni në cilësinë e pjesëtares së NATO-s dhe të raporteve dypalëshe me Poloninë. Shumica e trupave ndodhen në perëndim të Polonisë./albora.ch/