Manchester United ka arritur në finalen e Kupës FA pasi kanë eliminuar Brightonin nga gjysmëfinalja.

Marketing

Përderisa koha e rregullt dhe ajo shtesë nuk pati gola, u desh penalltitë ta përcaktojnë skuadrën finaliste e që më të mirë ishin Djajtë e Kuq.

Trajneri i United, Erik Ten Hag ka thënë se është i çliruar nga kualifikimi dhe ka parë në fushë një skuadër krejtësisht tjetër nga ajo e së enjtes ndaj Sevillës ku u eliminuan nga Liga e Evropës.

“Të enjten pashë një ekip që nuk e njihja, por ndaj Brightonit u kthyem në normalitet. Dallova vendosmëri dhe qëndrueshmëri. Luftuam për çdo top dhe në çdo betejë, kishim raste të mira”, tha Ten Hag.

Tutje Ten Hag foli edhe për penalltinë vendimtare të mbrojtësit suedeze Victor Lindelof të cilin e lavdëroi për paraqitjen e bërë në gjysmëfinale.

“Lindelof është mjaft i mirë kur bëhet fjalë për penalltitë. Mendoj se Victor dhe Luke Shaw luajtën shkëlqyeshëm. Patën një bashkëpunim të mirë me Casemiron”, vazhdoi tutje Ten Hag që foli edhe për portierin David de Gea.

“Jam shumë i impresionuar me De Gean. Bëri disa pritje të shkëlqyera. Më erdhi shumë keq kur bëri gabime të enjten e kaluar. Shpesh, kur bën gabime si portier, ndëshkohesh”.

“Ne e zhgënjyem, nuk u kundërpërgjigjëm për t’ia shlyer gabimet, por fatmirësisht sot luajtëm mirë dhe shkuam në finale”, përfundoi Ten Hag.

Marketing