Inspektorati Policor të Kosovës ka njoftuar se gjatë vitit 2021, kanë hetuar 213 punonjës të Policisë së Kosovës, duke arrestuar 38 punonjës, suspenduar 85 dhe duke transferuar dhe 10 policë, nën dyshimin se kanë kryer vepra penale.

Marketing

Sipas një komunikate të Policisë, gjatë vitit 2021 Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka hetuar 33 raste të veprave penale me elemente të korrupsionit dhe veprave tjera kundër detyrës zyrtare, transmeton albora.ch.

“IPK gjatë vitit 2021 ka pranuar dhe ka menaxhuar me 2013 ankesa dhe informata që në krahasim me vitin e kaluar ka një ngritje të numrit të ankuesve (vitin e kaluar IPK ka trajtuar 1658 ankesa). Prej tyre 1331 ankesa që janë klasifikuar si shkelje disiplinore e profilit të ultë janë përcjellë për t’u trajtuar në Drejtorinë për hetime të brendshme dhe verifikim të së kaluarës në Policinë e Kosovës. Nga 163 raste me elemente të veprës penale, 106 janë dërguar me kallëzim penal nga Departamenti i Hetimeve në prokuroritë kompetente, ndërkaq me raport të veçantë janë dërguar 54 raste”.

“Gjithsej gjatë vitit 2021 si subjekt i hetimit nga IPK-ja kanë qenë 213 punonjës të PK-së. E shprehur në përqindje i bie që vetëm 2.3% e punonjësve të PK-së janë hetuar nga IPK-ja me dyshimin se kanë kryer vepra penale. Gjatë vitit 2021, IPK-ja ka ndërmarrë këto masa dhe rekomandime 38 arrestime; 85 suspendime dhe 10 transfere. Këtë vit IPK-ja ka hetuar 33 raste të veprave penale me elemente të korrupsionit dhe veprave tjera kundër detyrës zyrtare”, thuhet në njoftim.

Sipas komunikatës, Divizioni i Inspektimit dhe Raportimit në kuadër të Departamentit të Inspektimit në drejtim të vlerësimit të kryerjes së detyrave policore në raport me legjislacionin dhe standardet e kërkuara, gjatë vitit 2021 ka realizuar nëntë inspektime, nga të cilat, katër të rregullta bazuar në planin vjetor të inspektimit dhe pesë të jashtëzakonshme.

“Gjatë vitit 2021 janë realizuar këto inspektime: Menaxhimi i patrullimeve dhe sigurisë në rrugë (inspektim i rregullt); Monitorimi i besueshmërisë dhe kënaqshmërisë së publikut me Policinë e Kosovës (inspektim i rregullt);Menaxhimi i hetimit dhe zbulimit të krimit (inspektim i rregullt); Trajtimi i personave të ndaluar përkohësisht në Stacionin Policor të Ferizajt (inspektim i jashtëzakonshëm); Vlerësimi i performancës së stacioneve policore në Obiliq, Podujevë dhe Skenderaj (inspektim i jashtëzakonshëm); Menaxhimi, funksionimi dhe aktivitetet hetimore të Drejtorisë së Hetimit të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (inspektim i jashtëzakonshëm); Kryerja e detyrave gjatë trajtimit policor të rasteve të dhunës në familje (inspektim i jashtëzakonshëm); Vlerësimi i performancës policore në realizimin e urdhëresave të gjykatave (inspektim i jashtëzakonshëm)”.

“Gjatë këtij viti, IPK-ja ka pasur një mori aktivitetesh nën vazhdën e përpjekjeve për të ndërtuar marrëdhënie të qëndrueshme me qytetarë dhe partnerë të ndryshëm, me organizata qeveritare e jo qeveritare dhe me media. IPK ka realizuar edhe disa takime me qytetarë që kishin për synim diskutimet e hapura me qytetarët për fushëveprimin e IPK-së (rolin dhe autorizimet), shpjegimet për ecurinë e procedurës hetimore në rastet që trajton IPK në përputhje me Kodin e Procedurës Penale të Kosovës, procedura disiplinore dhe ecuria e saj dhe rëndësinë e integritetit policor”, thuhet në komunikatë. /albora.ch/

Marketing