Gjykata Speciale e ka publikuar raportin e vizitës së ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli në Kosovë pasi që atij i vdiq nëna, vetëm pak muaj pasi i kishte ndërruar jetë edhe babai.
Siç bëhet e ditur në raportin e Speciales, ashtu si në vizitën e parë, Veseli nuk është lënë vetëm as gjatë takimeve që kishte pasur me anëtarë të ngushtë të familjes.
Në raport bëhet e ditur se Veseli në Kosovë ka qëndruar në një objekt “të sigurt” dhe gjatë gjithë kohës në paraburgim.
Veseli, edhe gjatë vizitës tek varri i nënës së tij ishte nën përcjelljen e oficerëve të Speciales.
“Sekretaria i ofroi gjyqtarit të procedurës paraprake azhurnime të rregullta gjatë vizitës së paraburgimit, siç specifikohet në vendim. Z. Veseli është transferuar në një objekt të sigurt në Kosovë, ku ka qëndruar gjatë gjithë kohës në paraburgim dhe nën përcjellje. Z. Veseli vizitoi varrin e nënës së tij në shoqërinë e oficerëve përcjellës. Menjëherë pas kësaj, z. Veseli u transportua në [REDAKTUAR]. [RIDAKTUAR]. Z. Veseli vizitoi dy grupe të vogla të vizitorëve të autorizuar, pas verifikimit të identitetit, secili i përbërë nga katër anëtarë të familjes së ngushtë. Z. Veseli ka vizituar grupin e parë dy herë, para dhe pas vizitës me të dytin grup. Gjatë vizitës së tij me grupin e dytë, një anëtar i afërt i familjes u largua nga [REDAKTUAR] dhe një i afërm i autorizuar i shkallës së dytë u lejua të hynte [REDAKTUAR] dhe t’i bashkohej grupit të dytë”, thuhet në një pjesë të raportit të Speciales.
“Z. Veseli nuk ka qenë në asnjë moment vetëm me asnjë nga anëtarët e familjes dhe të afërmit e mësipërm. Vizitat u kryen brenda shikimit dhe dëgjimit të oficerit kryesor të kujdestarisë dhe/ose oficerit(ëve) përcjellës, me ndihmën e një përkthyesi të DSK”, thuhet tutje në raport.
Nga Gjykata Speciale bëjnë me dije se të nesërmen Veseli në objektin e paraburgimit është takuar edhe me tre grupe të vogla të vizitorëve.
“Pas përfundimit të vizitave, z. Veseli u transportua në objektin e sigurt të transferimit të KD-së, [REDAKTUAR] ku qëndroi gjatë natës. Të nesërmen në mëngjes, z. Veseli pati vizita personale me tre grupe të vogla të vizitorëve të autorizuar në objektin e sigurt të transferimit, pas verifikimit të identitetit”, thuhet në raport.
Grupi i parë i vizitorëve përbëhej nga dy anëtarë të familjes së ngushtë, grupi i dytë i vizitorëve përbëhej nga tre të afërm të shkallës së dytë dhe grupi i tretë i vizitorëve përbëhej nga katër anëtarë të ngushtë të familjes.
“Personat janë takuar ose kanë pasur kontakte me z. Veseli në objektin e sigurt të transferimit”, thonë nga Specialja.
“Z. Veseli nuk ishte vetëm me vizitorët e tij në asnjë moment. Vizitat në objektin e sigurt u kryen brenda shikimit dhe dëgjimit të oficerit kryesor të kujdestarisë dhe/ose oficerit(ëve) përcjellës, me ndihmën e një përkthyesi të DSK”, thuhet tutje në raport.
“Siç urdhëroi gjyqtari i procedurës paraprake, z. Veseli nuk kishte qasje në pajisjet e komunikimit apo mjetet e tjera të komunikimit, duke përfshirë stilolapsin dhe letrën, përveç atyre që u lehtësuan nga GJP. Përveç kësaj, z. Veseli nuk i është lejuar të kalojë apo marrë ndonjë send nga ndonjë person pa inspektimin paraprak të oficerit(ve) përcjellës”, thuhet tutje.
Regjistri ka konstatuar se Veseli iu përmbajt udhëzimeve të shefit të kujdestarisë dhe zyrtarëve përcjellës gjatë vizitës në paraburgim.
“Bashkëpunimi me partnerët e jashtëm ishte shumë efektiv dhe siguroi një operacion të suksesshëm”, thuhet në fund të raportit.
Ndryshe, Veseli që nga fundi i vitit 2020 është në paraburgim në Hagë.
Atje ai është në pritje të gjykimit ndaj tij, teksa Gjykata tash e disa herë ia ka refuzuar lirimin me kusht.