Shqiptarët nga jugu i Serbisë nuk do të kenë asnjë deputet në Kuvendin e Serbisë pas këtyre zgjedhjeve, sipas të dhënave të Komisionit Republikan të Zgjedhjeve. Në përbërjen e kaluar ata kishin tre deputetë.

Marketing

“Shqiptarët nga jugu i Serbisë nuk i kanë votuar listat e tyre për zgjedhjet parlamentare për dy arsye”, ka thënë Nexhat Behluli, pronar i TV Spektri nga Bujanoci, transmeton portali JUGpress.

“Kanë kandiduar në zgjedhje me dy lista të veçanta. Edhe pse e dinin se do të ishte e vështirë të kalonin censusin për shkak të ndarjes së votave, renditja në listën e deputetëve ishte më e rëndësishme për politikanët shqiptarë sesa interesi i qytetarëve dhe për këtë arsye u ndëshkuan nga votuesit“, ka thënë Behluli.

Ai thotë se arsyeja e dytë është se “ata që morën pjesë në zgjedhjet parlamentare u bënë thirrje votuesve që të bojkotojnë zgjedhjet presidenciale për të dëshmuar gjoja se nuk e pranojnë Serbinë si shtet të tyre”.

“Por, populli nuk janë më dele, e kupton lojën dhe manipulimin nga liderët e tyre, të cilët në skenën politike në Bujanoc e Preshevë janë mbi dy dekada dhe këtë herë i ka turpëruar në mënyrën më të mirë”, thotë Behluli.

Pjesëmarrja e ulët e votuesve shqiptarë në këto zgjedhje, afërsisht 15 për qind e numrit të përgjithshëm me të drejtë vote, është rezultat i retorikës boshe që ka tri dekada që vazhdon në këtë zonë, tha Jeton Ismaili, redaktor i portalit Folonline në gjuhën shqipenga Bujanoci.

“Duket se shumica dërrmuese e shqiptarëve e kanë humbur besimin te politikanët e tyre për shkak të mungesës së rezultateve gjatë gjithë këtyre viteve, sepse premtimet e dhëna në të gjitha fushatat zgjedhore nuk janë realizuar asnjëherë”, tha Ismaili.

Ai shton se “njerëzve janë ngopur me historitë nga të cilat Beogradi fajësohet për gjithçka, dhe nga ana tjetër, në vendet, ku sundojnë partitë shqiptare, sundon nepotizmi dhe klientelizmi partiak.

Për shkak të këtyre politikave, një numër në rritje i të rinjve po largohen nga kjo zonë dhe nuk kujdesen për zgjedhjet, përfshirë ato parlamentare. Për ta çdo gjë është njësoj, nuk u intereson fare nëse shqiptarët do të kenë përfaqësues në parlament apo jo”, ka përfunduar Ismaili.

Marketing