Ambasadori i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuar, Ferid Hoxha vendosi flamurin kuq e zi në mes të anëtarëve të Këshillit të Sigurimit.

Marketing

Me këtë ceremoni simbolike Shqipëria merr zyrtarisht, për herë të parë në historinë e saj vendin në Këshillin e Sigurimit.

Kryeministri Edi Rama, tha se se ndjehet krenar që Shqipëria merr vendin në tryezën më të lartë vendimmarrëse në botë.

Mandati 2-vjeçar i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit nisi prej 1 Janarit dhe bëhet fjalë për një vend jo të përhershëm. Ky vend u mbështet në një votim nga 175 vende anëtare të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Qershor të vitit të kaluar.

Një ndër objektivat që ka vendosur Shqipëria gjatë mandatit në këtë Këshill është dhe avancimi i çështjes se Kosovës, duke lobuar për të shtuar listën e vendeve që e njohin pavarësinë e saj dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Këshilli i Sigurimit në OKB është ndër organet më të rëndësishme të saj që ka për detyrë mbarëvajtjen e paqes dhe sigurisë mes të kombeve.

Ky këshill përbëhet nga 15 anëtarë. SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Rusia dhe Kina janë 5 anëtare të përhershme, derisa 10 vendet e tjera kanë një mandat dy vjeçar. Për tu ulur në karrigen e Këshillit të Sigurimit diplomacisë shqiptare i janë dashur një dekadë lobimi. /albora.ch/

Marketing