Policia e Kosovës e ka konfirmuar se rreth orës 02:20, gjatë natës, në Mitrovicën e veriut ka ndodhur një shpërthim të një bombe çorientuese, shkruan Albora.ch.

Marketing

Dyshimet e para të Policisë së Kosovës janë se shpërthimi mund të jetë veprim kriminal nga strukturat e organizuara kriminale.

Sipas një reagimi për media, Policia njofton se ky shpërthim është  vazhdim i përpjekjeve për të ngritur tensione dhe destabilizim të situatës, në funksion të shtrirjes së ndjenjës së pasigurisë dhe frikës.

“Me datën 19.12.2022, rreth orës 02:20, gjatë natës, në Mitrovicën e veriut, konkretisht afër udhëkryqit  te shkolla teknike është raportuar për një shpërthim të një bombe çorientuese (shok bombe).

Si pasojë e këtij shpërthimi janë raportuar thyerje të disa xhamave në katër lokale, në dy prej të cilave nuk zhvillohet ndonjë biznes.

Sipas informacioneve fillestare dyshohet se shpërthimi mund të jetë veprim kriminal nga strukturat e organizuara kriminale dhe vazhdim i përpjekjeve për të ngritur tensione dhe destabilizim të situatës, në funksion të shtrirjes së ndjenjës së pasigurisë dhe frikës.

Policia e Kosovës me njësitet e saj, përfshirë edhe njësinë kundër terrorizmit po ndërmerr veprime intensive në hetimin e këtij rasti për identifikimin dhe sjelljen para drejtësisë të kryerësve të këtyre veprave kriminale.

Fushatat propaganduese të ditëve të fundit nga qarqe politike e media kryesisht serbe, kundërshtohen fuqishëm nga Policia e Kosovës dhe kërkohet nga qytetarët dhe mediat në përgjithësi që çdo informacion të ndjeshëm ta konfirmojnë përmes autoriteteve kompetente, respektivisht zyrës për media në Policinë e Kosovës, me qëllim të informimit të drejtë dhe posedimit të informatave të sakta dhe në kohë reale”, thuhet në reagimin e Policisë së Kosovës.

Marketing