Shërbimi Spitalor dhe Klinik dhe Universitar i Kosovës, ka njoftuar zyrtarisht se pas analizës së situatës së fundit në Shërbimin Klinik të Kardiokirugjisë, është liruar nga detyra e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Klinikës Kardiokirurgjike, Rifat Brahimaj.

Marketing

Ushtrues detyre i drejtorit të Shërbimit të Kardiokirugjisë në QKUK është caktuar Shpejtim Shurdhiqi.

Kujtojmë se ky shkarkim vjen pasi gjatë javës së kaluar ndodhi një rast ku një pacient vdiq pas një operacioni dhjetë orësh nga çarja e aortës.

I gjithë procesi i operimit ishte xhiruar dhe u publikua si operim i suksesshëm nga kirurgu që mori pjesë në operim, Kushtrim Shala.

Tashmë i shkarkuari, ish-drejtori Brahimaj pati deklaruar se kirurgu Shala ishe i papërvojë për këtë operacion ndërkohë që pati bërë të ditur se ishte në pushim në kohën kur ishte kryer operacioni duke hequr përgjegjësinë nga vetja.

“Mjekët që e kanë kryer këtë operacion nuk janë kompetentë për ndërhyrje të tilla sepse ata kanë vështirësi edhe në procedura standarde. Të hysh në një procedurë të tillë pa pasur përvojën e duhur dhe ta paraqitësh si sukses, e pacienti ndërron jetë pas disa orësh, kjo me të vërtetë është hipokrizi”, kishte thënë Brahimaj.

Trupi i pacientit 63-vjeçar, me iniciale E.M. u tërhoq nga spitali nga familjarët e tij për ceremoni të varrimit më 6 janar, rreth 2 orë pas konstatimit të vdekjes.

Vlen të theksohet se familja nuk ka kërkuar që trupi të shkojë në IML për obduksion. Por, ky veprim i familjarëve vjen edhe përkundër që Prokuroria i ka nisur hetimet dhe ka autorizuar policinë e Kosovës që t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme në lidhje me rastin.

Megjithatë, meqë hetimet kanë filluar, trupi i viktimës edhe mund të zhvarroset për t’iu nënshtruar autopsisë.

Marketing