A e imagjinoni dot një shëtitje në pyll të udhëhequr nga një ujk? Kjo është e mundur në një qoshe në jug të Spanjës, në provincën Almeria, ku Gonzalez Carrillo është në krye të një kopeje ujqërish.

Marketing

Ky person ka rritur tre këlyshë ujku dhe e ndan shtëpinë e tij me Kahalën, nëna e dy ujqërve të rritur, Sioux dhe India. Ata janë të regjistruar në Regjistrin Zyrtar të Kafshëve në Andaluzi.

“Ata janë të zbutur por sjellja e tyre ka mbetur e egër. Ata sillen me njëri-tjetrin si një kope e vërtetë ujqërish nisur nga mënyra se si luajnë dhe se si e ëma i mëson. Gjithçka është pjesë e instiktit të tyre”, u shpreh Carrilo.

Gonzalez vendosi të rrisë ujqërit sepse ata patën një efekt të thellë tek ai. Gjithashtu, këto kafshë mund të ndihmojnë të tjerët. Për këtë arsye ai e merr kopenë në qytet për të punuar me fëmijët autistë dhe të moshuarit me Alzhajmer.

Ai ka nisur gjithashtu të shoqërojë bashkë me ujqërit të apasionuarit pas ngjitjes në mal, shkruan Euronews.al.

“Ka qenë një eksperiencë unike. U rekomandoj të gjithëve të shkëputen nga bota e kompjuterëve dhe internetit dhe të shijojnë natyrën”, tha Rocio Berenguel, ekskursionist.

“Është një kafshë imponuese dhe ndryshe nga qeni. Kur qëndron në ambientin e tyre mund të shohësh instinktet e tyre. Ata sillen ndryshe. U kënaqa që u shkëputa nga qyteti i zhurmshëm”, theksoi Rommel Bianchi, ekskursionist.

Ujku i fundit në provincën e Almerias është vrarë në fund të shekullit XIX dhe Gonzales dëshiron shumë të shohë këto krijesa të ripopullojnë zonën.

Foto: Pixabay / Ilustrim

Marketing